Skandal me bukën, prodhohet me grurë për kafshët

Hënë, 07 May 2018 20:41

Një denoncim për miellin e bukës që përdoret në Shqipëri ka kthyer përsëri temën e sigurisë ushqimore në vëmndje të të gjithave.

Pasi ‘’Fiks Fare’’ ka zbuluar se standardi i bukës që prodhohet në Shqipëri sot, për shkak të cilësisë së miellit, është më I ulëti në Evropë. Gruri me të cilin prodhohet buka në Shqipëri është grurë për kafshët, kjo për pasojë të importeve të pakontrolluara. Sot në Shqipëri tregun e mbizotëron mielli dhe gruri që vjen nga Serbia dhe Kosova, I cili ka cilësinë më të dobët të proteinës nën 12 %. Fiks Fare ka kryer analizat e miellit që është sot në tregun shqiptar, një pjesë e madhe e të cilit ka rezultuar me proteina nën nivelin e lejuar.

Në Shqipëri, buka është burimi kryesor i ushqimit. Sipas Institutit të Statistikave çdo Shqiptar konsumon mesatarisht rreth 400 gramë bukë në ditë. Bashkimi Europian, nivelin e proteinës tek buka e ka të miratuar 14%, ndërsa në vendin tonë është 12.5%. Po a konsumojnë shqiptarët bukë me nivel proteine 12.5%?

Vendimi i ish-Ministrit Panariti në vitin 2014 për lejimin e importit të miellit me cilësi nën 12 % hapi në të vërtetë rrugën e abuzimit, duke lejuar që në vendin tonë të importohej edhe miell me nivel proteine më të ulët që do të ishte për biskota, ëmbëlsira etj. Miell dhe grurë që do të importohej kryesisht nga Serbia dhe Rusia. Në atë kohë në daljet publike Ministri këmbëngulte se analizat e këtyre importeve dilnin brenda normës. Sipas tij buka bëhej vetëm me miell, maja dhe ujë dhe analizat e kryera dilnin brenda normës së lejuar.

Por si është gjendja pas 4 viteve, që është marrë ky vendim. Thuajse të gjitha furrat e bukës, sot prodhojnë edhe ëmbëlsira. Kjo e bën akoma më të vështirë gjurmueshmërinë e Inspektorëve të AKU-së të cilët nëse në furrat e bukës gjejnë miell me proteinë më të ulët dëgjojnë të njëjtin justifikim “Është për ëmbëlsirat dhe jo për bukë.” Madje edhe vetë Panariti, sot që nuk është më Ministër, ka ndryshuar opinion lidhur me situatën dhe e ka pranuar që gjurmueshmëria apo aftësia për të kontrolluar këtë produkt çalon. Ai thotë se aktualisht vendi ynë nuk është në gjendje të arrijë në nivelin proteinik 12.5 % dhe jo më atë të vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas përgjigjes që na erdhi nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për vitin 2017 janë importuar rreth 36 679 ton miell gjithsej. Rreth 40% e kësaj ngarkese 14 776 ton, është importuar nga Kosova, në vend të dytë është Serbia me 12 945 ton, e ndjekur nga Greqia, Mali i zi, Maqedonia, Bullgaria, Italia dhe në fund Austria me 9 ton. Ndërsa nga e gjithë kjo sasi janë importuar 308 ngarkesa me miell, proteina e të cilit është mbi 12%, me një sasi prej 9 554 ton. Rreth 4 fish më pak se sasia e miellit me proteinë nën 12% , e cila është 27 125 mijë ton. Përsa i përket ngarkesave me grurë janë importuar 393 të tilla me proteinë nën 12% me sasinë 8340.956 ton.

Fiks Fare ka zbuluar se mes ngarkesave të importit të grurit, ka edhe grurë nën nivelin e proteinës 12 %, i importuar nga prodhuesit e miellit, por që kryesisht përdoret si ushqim për kafshë. Ky grurë nxjerr një cilësi të dobët të miellit dhe vetëm me anë të përzierësve, kimikateve apo shtesave proteinike mund të bëhet bukë.

Në vendin tonë janë importuar rreth 215 802 ton grurë. Më shumë se 50% e kësaj sasie, rreth 147 594 ton është importuar nga Rusia, më pas vjen Serbia me 51 588 ton, e ndjekur nga Ukraina, Maqedonia, Kroacia, Italia, Greqia, Mali i Zi dhe e fundit Turqia me 47 ton.
Fiks Fare analizoi 18 mostra, produkte mielli, ambalazhi 1 kg dhe 25 kg. Analizat e përqindjes së proteinës u kryen pranë ISUV. Nga këto analiza rezultuan se 6 produkte miell për bukë, ishin nën nivelin e proteinës 12% . Kryesisht miell që vjen nga Serbia dhe Kosova.

Produkte që kanë rezultuar nën normën e deklaruar në etiketë, dhe nën normën e proteinës më ligj janë 6:
Kodi Firma e produktit % Pro. në etikete % Pro. në analiza Lloj i miellit Origjina
4 Tradicional Serbi – 11.31% Për bukë Serbi
9 Ola Atlas 13% 11.15 Për bukë Shqipëri
13 Finesa Besnik.shpk Atlas 12.5% 10.92% Për bukë Kosovë
15 Sillosi Dellino 13% 10.92% Për bukë Kosovë
17 Premium 12% 10.66% Për bukë Serbi
18 Sillosi Sofra 12% 11.11% Për bukë Kosovë

Importi i Miellit 2017/ 36 679 ton/ Vendi i origjinës
KOSOVA 14 776 ton
SERBIA 12 945 ton
GREQIA 5007 ton
MALI I ZI 3 298 ton
MAQEDONIA 280 ton
BULLGARI 196 ton
ITALIA 165 ton
AUSTRIA 9 ton
Importi i Grurit/ Gjithësej 215 802 ton/ Vendi i Origjinës
RUSIA 147 594 ton
SERBIA 51 588 ton
UKRAINA 6 010 ton
MAQEDONIA 5 531 ton
KROACIA 1 428 ton
ITALIA 2 406 ton
GREQIA 784 ton
MALI I ZI 102 ton
TURQIA 47 ton

Login to post comments