Grabitja e dokumenteve sekrete të Prokurorisë së Durrësit klasifikohet si një ngjarje e rrallë më e ndodhura në historinë e organit të akuzës. Një rast i ngjashëm ka ndodhur rreth 14 vjet më parë, në vitin 2004, me postën sekrete të Prokurorisë së Tiranës.
Siç e njofton edhe policia, duket se dy grabitësit kanë pasur informacion të saktë për informacionin që gjendej në çantën e postierit.
Policia, në njoftimin e saj, është kujdesur të mos specifikojë nëse bëhet fjalë për postë të thjeshtë apo postë sekrete.
Ndërsa nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme , nëpërmjet zëdhënësit të mediave, u tregua kujdes të shpërndahej informacion se dokumentat i përkasin postës sekrete dhe kanë të dhëna mbi një rrjet të narkotikëve.
Nëpërmjet Postës Sekrete, prokuroria merr të dhëna apo informacione nga Shërbimi Informativ mbi persona të dyshuar për vepra penale, kryesisht të krimit të organizuar.
Gjithashtu, nëpërmjet postës sekrete përcillen transkiptet e përgjimeve, të cilat kryen për llogari të prokurorive të ndryshme nga Prokuroria e Përgjithshme. Por burime zyrtare, që nuk duan të identifikohen thonë për 55news.al se dokumentet e grabitura përmbajnë informacione të SHISH me autoritetet e huaja ligjzbatuese. Të njëjta burime thonë se në dokumente ka patur të dhëna mbi disa persona të përfshirë në trafikun e narkotikëve.
Tashmë që Policia dhe Prokuroria e Durrësit deklarojnë se po hetojnë për të zbuluar autorët, informacioni sekret është në duar të personave të paautorizuar. Organet ligjzbatuese dyshojnë se informacioni për orarin e lëvizjes së informacioneve të jetë shpërndarë nga vetë zyrtarë të brendshëm të prokurorisë.