Janë shpallur datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2018, sipas një udhëzimi të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Respektivisht është vendosur që në 4 qershor 2018-të, të zhvillohet provimi i parë për maturantët, ai i gjuhës së huaj që do të pasohet nga testimi i lëndës Gjuhë shqipe dhe Letërsi 4 ditë më vonë. Ndërkohë sipas udhëzimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, maturantët e këtij viti, do të zhvillojnë në datën 13 qershor provimin e matematikës dhe do ta mbyllin këtë cikël testimesh në 20 qershor 2018-të ku do të provojnë njohuritë e tyre në lëndët me zgjedhje.
Provimet e Maturës Shtetërore 2018 do të fillojnë në orën 10:00 ku ato me detyrim do të zgjasin 2 orë e 30 minuta, ndërsa testi me zgjedhje do të zgjasë 3 orë.
Gjithashtu, nënvizohet se maturantët që rezultojnë mbetës në provimet e Maturës Shtetërore 2018, do t’i rijapin provimet në sesionin e dytë. “DAR/ZA-të marrin nga shkollat listat e maturantëve mbetës të vitit shkollor 2017-2018, dhe brenda datës 2 qershor 2018, t’i pasqyrojnë ato në sistemin elektronik Matura online, sipas udhëzimit përkatës. Listat e maturantëve mbetës të dërgohen në QSHA, në format të printuar dhe elektronik”,-thuhet në udhëzim. Ndërkaq, drejtoritë e shkollave po njoftojnë maturantët mbetës që të mos paraqiten në provimet e Maturës Shtetërore 2018, pa likuiduar më parë provimet e klasës. Përfaqësuesit e Postës Shqiptare do të tërheqin në QSHA materialet e provimit, një ditë para zhvillimit të provimit përkatës. Sipas udhëzimit, provimet kombëtare të Maturës Shtetërore 2018 do të zhvillohen në mjediset e institucioneve arsimore, mbështetur në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2018 në Republikën e Shqipërisë.
Lëndët dhe datat për provimet e Maturës Shtetërore 2018, të jenë:
- a) Gjuhë e huaj (D3) 4 qershor 2018
- b) Gjuhë shqipe dhe letërsi (D1) 8 qershor 2018
- c) Matematikë (D2) 13 qershor 2018
- d) Provime me zgjedhje (Z1/Z2) 20 qershor 2018