Vrasjet dhe çdo krim tjetër kundër personit, tashmë do të hetohen dhe ndiqen deri në gjykatë nga oficerët e policisë nëpër komisariate. Kjo është risia që vjen në ndryshimin e strukturës së policisë, e firmosur së fundmi nga numri një i uniformave blu, Ardi Veliu.
Çdo vrasje, plagosje dhe krim tjetër kundër personit do të hetohet nga oficerët e policisë në komisariate dhe jo nga drejtoria vendore e qarkut.
Kështu parashikohet në ndryshimin e strukturës së policisë që është firmosur së fundmi nga kryepolici, Ardi Veliu.
Struktura e re e drejtorive vendore parashikon rritjen e rolit të inspektorit të zonës, ndërsa një komisariat do ndahet në zona policore, e cila do të përbëhet nga 3 inspektorë.
Kriminaliteti, trafiqet dhe situata me rendin do të ndiqen direkt nga inspektorët e komisariateve, të cilët do të bashkëpunojnë ngushtë me komunitetin, për zbuluar veprat penale dhe për t’i parandaluar ato.
Kësisoj, pritet edhe shtimi i numrit të policëve në komisariate. Bashkëpunimi polici-komunitet është edhe thelbi i fushatës së ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, që po ndërmerr në të gjitha qarqet.
Antidroga, krimi ekonomik dhe antitafiqet do të shkrihen në një sektor, kurse sektori i rendit do ketë në varësi sallën operative, seksionet e rendit dhe rrugoren.
Së fundmi, në ndryshimet e firmosura nga Veliaj parashikohet që Policia Rrugore do jetë e pavarur nga drejtoritë vendore të policisë dhe do të marrë urdhra nga qendra.