Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Ministria e Drejtësisë kanë nisur procedurat për ekstradimin në Shqipëri të Arbër Çekajt, pronarit të kontenierit me banane ku fshiheshin 613 kg kokainë.
Pronari i firmës “Arbri Garden”, Arbër Çekaj u arrestua disa ditë më parë në Gjermani, pasi para dy muajsh në kontenierin me banane të firmës së tij u gjetën të fshehura edhe 618 kilogramë kokainë e ardhur nga Kolumbia, pritet të paraqitet para autoriteteve shqiptare të drejtësisë brenda 10-15 ditëve.
Sipas burimeve është konfirmuar se ekstradimi i Çekajt është një procedurë e shkurtër që pritet të kryhet mes zyrës së Interpol Tiranës dhe zyrës homologe në Gjermani. Kjo pasi urdhri i kërkimit ndërkombëtar ndaj Çekajt përmban të gjithë dokumentacionin e nevojshëm si dhe vendimin që ndaj tij është caktuar në mungesë masa e sigurimit “arrest me burg”.
Dhe nuk ka nevojë për dokumente shtesë apo dërgime dosjesh. E gjithë kjo procedurë, sipas burimeve të Top Channel, mund të zgjasë nga 10 deri në 15 ditë. Kështu, brenda disa ditëve, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të ketë në dispozicion për ta pyetur njeriun kryesor të dyshuar për trafikimin e ngarkesës rekord të kokainës të kapur ndonjëherë jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajonin e Ballkanit.
Për llogari të kësaj çështjeje mbahen në qelitë e paraburgimit menaxheri i firmës Donaldo Lushaj dhe shoferi i kamionit që transportoi kontenierin, Armando Pezaku. Ndërsa ende nuk ka asnjë emër konkret të personave që mund të jenë porositës të kokainës.