Presidenti Meta nderon me titullin "Mjeshtër i madh" Sulejman Demollarin, ja komentet

Premte, 11 May 2018 11:42

Presidenti, Ilir Meta i ka akorduar titullin "Mjeshtër i madh" personalitetit të shquar të sportit, Sulejman Demollari, me motivacionin “Në vlerësim të talentit, profesionalizmit dhe rezultateve të larta, si futbollist me një karrierë shumë të suksesshme në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, duke shpalosur vlerat e një sportisti model, shembull frymëzimi për të gjithë futbollistët e rinj”.

Në ceremoninë e organizuar në Presidencë, i pranishëm kreu i FSHF, Armando Duka, ambasadorë dhe personalitete të shquara të sportit. “Karriera sportive e Demollarit ka qenë e jashtëzakonshme. Ai është një përfaqësues i denjë dhe autoritet me peshë i futbollit shqiptar. Titullin 'Mjeshtër i madh' Demollari e ka marrë në fushën e lojës, atë ia kanë "dhënë" tifozët shqiptarë prej vitesh. Është një model i shkëlqyer i sportistit shembullor dhe i "fair play", lojtari model i Dinamos dhe më i spikaturi i këtij ekipi. Figura e Demollarit është nxitje për brezat e rinj për t'u marrë me sport e për të qenë të suksesshëm në jetë. Shembulli i jetës, veprimtarisë dhe sjelljes sportive të Demollarit ka qenë dhe mbetet një burim i rrallë frymëzimi, sidomos për të rinjtë e sotëm. Demollari ka forcuar ndjenjat e krenarisë kombëtare, do të jetë ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në botë. Kam fatin dhe rastin të vlerësoj një nga figurat më të spikatura dhe talentet e rralla e të papërsëritshme të futbollit tonë. Demollari, solisti magjepsës i lojës së bukur, njëri nga sportistët më të talentuar dhe të suksesshëm të kombit tonë, një përfaqësues i denjë dhe me autoritet në futbollit edhe në arenën ndërkombëtare. Të gjithë sportdashësit shqiptarë e kanë të gdhendur në kujtesën e tyre lojën e tij virtuoze me “Dinamon” e me Kombëtaren dhe sidomos golat e mahnitshëm të shënuar gjatë tri dekadave”, tha ndër të tjera Presidenti Meta.

Nga ana e tij Sulejman Demollari u shpreh se është “Ditë e veçantë për mua e jetën sportive. Falenderoj përzemërsisht e me mirënjohje Presidentin Ilir Meta. Presidenti Meta përherë ka vlerësuar sportistët dhe kontributet e tyre ndër vite, Titulli  "Mjeshtër i madh" që më akordoi Presidenti i përket futbollit shqiptar dhe tifozëve kuqezi”.

Modifikuar më Premte, 11 May 2018 13:19
Login to post comments