Autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur në Elbasan, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 22-vjeçari Xhon Rusta është arrestur nga policia.
Ai është shtetasi Juxhino Seferi, 22 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar për veprën penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”.
Arrestimi i tij u bë këtë të enjte, pasi dyshohet se më 23 prill, në rrugën e “Konvikteve”, në lagjen “11 Nëntori”, Elbasan, ka plagosur me armë zjarri Xhon Rustën dhe më pas është larguar me një automjet.
Gjithashtu në vijim të veprimeve për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje, u bë kapja dhe ndalimi edhe i Mattia Ajazit, 23 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Për veprime të mëtejshme lidhur me këtë ngjarje materialet iu referuan Prokurorisë së Elbasanit.
Kujtojmë se i plagosuri është dënuar për plagosje në vitin 2014 dhe kjo është një pistë hetimore ku policia ka përqendruar veprimet.
Më 29 mars 2016, Xhon Rusta, u akuzua dhe u shpall në kërkim, pasi u dyshua se qëlloi me armë Qani Alibeajn.
Policia tha se ngjarja erdhi pas një konflikti për motive të dobëta, Rusta qëlloi mbi Alibeajn duke e lënë atë të plagosur në këmbë.