Duket se partnerëve tanë u është sosur durimi me policinë shqiptare, dhe për këtë kanë vendosur që të vijnë vetë për të arrestuar personat që kërkohen në vendet e tyre.
Rasti më i fundit, është ai i Forcave Speciale italiane, ku ditën e djeshme kanë zhvilluar një operacion në Shqipëri, ku kanë vënë në pranga dy persona që kërkoheshin prej disa vitesh në vendin fqinj.
Edhe pse policia i ka pasur të skeduar Astrit Keçin dhe Shkëlqim Sufajn, për më shumë se 12 vite nuk ka bërë asnjë përpjekje për arrestimin e tyre.
E njëjtë gjë ndodhi edhe me baronin e drogës, Met Kananin, ku u desh arrestimi i tij në Turqi, që policia jonë të ndërmerrte një operacion të gjerë, bashkë me DEA-n amerikane, ku u arrestuan të gjithë pjesëtarët e këtij grupi droge.
Arbër Çekaj, u la të largohej nga Shqipëria, duke ditur që ishte pronari i kompanisë ku më pas u kapën 613 kg kokainë në Durrës.
Çekaj u vu në pranga në Gjermani, ndërsa pritet që të sillet në Shqipëri. Pra, duket se Policia e Shqipërisë është e pafuqishme për të arrestuar personat me rekorde kriminale, për shumë arsye, që nga mungesa e burimeve njerëzore, e deri tek bashkëpunimi i tyre me ta.
Për të gjitha këto arsye, partnerët tanë kanë vendosur që të vijnë vetë në Shqipëri, dhe t’i arrestojnë ata./55News.al/