“Pse po vonohen ato?”/ Vizat false për SHBA, Angli e Kanada, laboratori funksiononte “në sytë” e Prokurorisë

E Enjte, 17 May 2018 16:22

Shumë pranë qendrës së Tiranës dhe në krah të Prokurorisë së Përgjithshme ndodhet një bazat laboratorike e zbuluar nga policia, e cila falsifikonte pasaporta dhe viza.

Në pronësi të Ismail Alushanit, një nga 17 të prangosurit e uniformave blu gjatë operacionit të koduar “272”, studio “Alushani” kishte vite që ushtronte këtë aktivitet, duke u maskuar shumë mirë edhe pse ndodhet fare pranë institucionit të rëndësisë së veçante.

Nga hetimet ka rezultuar se grupi kriminal ka kaluar mbi 200 persona në mënyrë të parregullt drejt SHBA, Kanada dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Por ky numër dyshohet se mund të jetë disa-fish më i madh, pasi hetimet në Shqipëri kishin filluar në 2016-n, ndërsa në Greqi në 2014-n.

Dy efektivët e policisë dolën rastësisht si anëtarë të grupit kriminal. Emrat e Entela Çalës dhe Arjan Ukut, ishin përmendur gjatë bisedave telefonike nga krerët e bandës, Gentian Stojku e Ilir Myrtaj si garantë tek shefat e tyre në Greqi. Pavarësisht kësaj, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Brendshme, ka dyshime se mund të jenë përfshirë edhe disa efektivë të tjerë të policisë, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur.

ABC News publikoi të mërkurën një përgjim i kryer ndërmjet Arjan Ukut dhe bashkëjetuesit të Entela Çalës, të cilët komunikonin me mesazhe ndërmjet tyre. Ky i fundit i kërkon llogari Ukut se, përse po vonohen porositë që ai kishte bërë, duke i lënë edhe vendin e takimit për t’i dhënë paratë.

Grupi i strukturuar kriminal përbëhej në total nga 41 anëtarë, 24 prej te cilëve të prangosur në Dhjetor në Greqi. Bazat laboratorike që klononin pasaporta dhe viza të Bashkimit Europian, ndodheshin të gjitha në Tiranë. Po kështu, edhe 7 laboratorë u zbuluan nga policia greke në shtetin fqinj. /Abc News/

Login to post comments