Të shtënat me armë që ngjallën panik tek banorët në zonën afër postës së Vlorës, fatmirësisht nuk kanë shkaktuar të plagosur apo viktima.
Nuk dihen ende arsyet e sherrit, por burime nga vendngjarja kanë konfirmuar për gazetarin Enrik Mehmeti se ai është kthyer i armatosur dhe ka qëlluar një herë brenda lokalit.
Ndërsa ka tentuar të hyjë brenda për të vijuar me skenarin që kishte në kokë, disa persona të tjerë e kanë neutralizuar, duke shmangur kështu një masakër.
Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë një furgon policie dhe është bërë shoqërimi i të riut. Pritet që ai të merret në pyetje, për të zbuluar shkaqet e sherrit që e shtynë të ngrinte armën.
Informacion paraprak
Më datë 18.05.2018, rreth orës 17:39, në vendin e quajtur “Sahati”, shtetasi Besmir Gj., 31 vjeç, banues në Vlorë, ka shtënë një herë me armë zjarri brenda ambienteve të një lokali.
Nga e shtëna nuk ka të lenduar.
Reagimi i menjëhershëm i policisë vendore, ndihmuar dhe nga shtetasit e pranishëm në lokal kanë bërë të mundur neutralizimin dhe ndalimin e shtetasit Besmir Gj., i cili tashmë ndodhet në ambientet e DVP. Vlorë, për veprimet e mëtejshme hetimore.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit dhe një gëzhojë.
Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes në fjalë.
(m.a/BalkanWeb)