Hetimi për Agron Xhafajn, Krimet e Rënda bashkojnë dosjet

Saturday, 19 May 2018 17:36

Procedimi i nisur në Prokurorinë e Tiranës në bazë të kallëzimit të Agron Xhafajt për fabrikim të fakteve dhe provave të rreme në lidhje me audiopërgjimin e denoncuar nga PD mes tij dhe bashkëpunëtorit X, Albert Veliu, i është kaluar për kompetencë prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Kjo e fundit ka hapur një tjetër procedim për akuzën e trafikut të narkotikëve pas publikimit të videopërgjimit në fjalë. Ky kalim, raportohet se ka ndodhur pasditen e së premtes, meqenëse të dyja materialet kanë persona të njëjtë, që dyshohen se janë përfshirë në videopërgjim. Mësohet se prokuroria e Tiranës i ka kaluar Krimeve të Rënda edhe dëshminë e Albert Veliut, i cili përpara se të pyetej nga Krimet e Rënda kishte dhënë sqarime tek prokuroria e Tiranës.

Mësohet se Veliu edhe në dëshminë e dhënë pranë organit të akuzës të Tiranës, i ka qëndruar faktit që videopërgjimi është i vërtetë dhe se ai kishte biseduar me Agron Xhafajn për të trafikuar hashash.

Nga ana tjetër në të njëjtën dosje që i është deleguar Krimeve të Rënda, janë edhe dëshmitë e vëllait të Ministrit të Brendshëm, i cili hedh poshtë në mënyrë kategorike që videopërgjimi mes tij dhe Albert Veliut të jetë i vërtetë. Madje për të provuar këtë, ai ka dorëzuar në prokurorinë e Tiranës edhe një ekspertize teknike, të cilën e ka bërë privatisht me disa ekspertë britanike, të cilët kanë arritur në konkluzionin se zëri në videopërgjim, nuk është i Agron Xhafës.

Burime janë shprehur se për sa kohë ekspertimet teknike mbi autenticitetin e videopërgjimit do të bëhen me materiale të kopjuara dhe për sa kohe autoritetet nuk do të kenë në dorë minimalisht pajisjen, e cila ka realizuar përgjimin, ateherë çdo ekspertizë teknike do të jetë thuajse e pamundur të dalë në një konkluzion të vërtetë dhe të pakontestuar.

Modifikuar më Diel, 20 May 2018 10:14
Login to post comments