Ekonomisti Selami Xhepa, në një prononcim për gazetën Panorama, i ka dhënë një shpjegim luhatshmërisë së euros dhe rënies së saj gjatë muajve të fundit.
Sipas tij dy janë arsyet: së pari, paratë nga ekonomia informale dhe, së dyti, qarkullimi i lartë i monedhës europiane në shkëmbimet që bëhen në Shqipëri. Xhepa, me ekonomi informale kupton paratë që vijnë nga bota e errët, nga bota e krimit, droga dhe trafiqet ilegale.
Kjo rënie, shpjegon ekonomisti, nuk vjen nga remitancat (dërgesat) e emigrantëve të cilat janë ulur, dhe as nga eskportet apo investimet e huaja. Kjo e shpjegon edhe luhatjen e kursit të këmbimit.
Zgjedhjet e verës së shkuar panë një ulje drastike të kursit të këmbimit të euros, pikërisht në muajin përgjatë fushatës elektorale. Disa ekonomistë dhe analistë politikë e shpjeguan këtë rënie me futjen e sasive të mëdha të eurove të paligjshme në treg për të ndikuar zgjedhjet dhe rezultatin e tyre nga partia në pushtet.