Pas njoftimit për kufizimin e trafikut gjatë sezonit veror, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përcaktuar një sërë kategori mjetesh të tonazhit të rëndë që nuk do të lejohen të lëvizin gjatë fundjavave.
Përfaqësues të këtij dikasteri thanë se bëhet fjalë për mjetet me peshë mbi 7.5 ton dhe gjatësi mbi 12 metra.
Përjashtim nga ky rregull do të bëjnë ato mjete, që transportojnë mallra ushqimorë, për të evituar në këtë mënyrë dëmin që mund t’ju shkaktohet kompanive apo cenimin e sigurisë ushqimore.
Kufizimi i qarkullimit do të jetë në fuqi përgjatë periudhës 15 qershor-15 shtator, ndërkohë që do të jetë një urdhër tjetër i mëvonshëm që do të përcaktojë akset rrugore ku do të ketë kufizim qarkullimi.
Paraprakisht përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës bëjnë me dije se bëhet fjalë për akset që lidhin zonat bregdetare, kryesisht në jug të vendit.
Marrja e këtyre masave vjen në kuadër të garantimit të sigurisë në qarkullim, në një kohë që ka një shtim të fluksit të automjeteve.
Mbetet për tu parë se sa do të respektohen këto rregulla, dhe se sa do ndikojnë në normalizimin e trafikut.