Gjyqësori shqiptar po kalon një situatë emergjence për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe kufizimit të mundësive për emërimin e gjyqtarëve të rinj. Pas mbylljes së gjykatës së parë dhe më të rëndësishmes në Shqipëri, Gjykatës Kushtetuese, për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut, edhe nëntë gjykata të tjera, kryesisht të shkallës së parë, janë në prag mbyllje.
Situata alarmante është pasqyruar gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbajtur në datën 7 maji 2018. Gjatë kësaj mbledhjeje, KLD, përpos të tjerave, ka shqyrtuar edhe një raport mbi organikat e paplotësuara të gjykatave dhe mundësitë e transferimit të përkohshëm si dhe propozimeve përkatëse për plotësimin e vendeve vakant.
Gjatë kësaj mbledhje është dhënë alarmi për mungesën e gjyqtarëve në gjykatat e Kavajës, Krujës, Lezhës, Kukësit, Gjykatën Administrative të Shkodrës, Gjykatën Administrative të Durrësit, Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë dhe Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë dhe për Gjykatën Administrative të Apelit, të cilat funksionojnë me një deri në dy gjyqtarë.
Edhe gjyqtarët e mbetur janë të rrezikuar për shkak të procedimeve të ndryshme për abuzime. Për rrjedhojë, në këto gjykata janë bllokuar mijëra dosje që presin të gjykohen. Në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative Durrës ende po gjykohen dosje të vitit 2014. Situata është e tillë në këtë gjykata kur ende nuk ka vepruar ligji i Vetingut, proces të cilit po i nënshtrohen fillimisht gjyqtarët dhe prokurorët në nivelet më të larta të drejtësisë.
Me veprimin e ligjit të Vetingut edhe në gjykatat e Shkallës së Parë dhe Apelit, nisur nga trendi i deritanishëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndëshkuar, pritet të mbyllen më shumë se sa gjysma e gjykatave në të gjithë rrethet vendit.