Në mediat italiane është publikuar një video shumë interesante gjatë një takimi që Presidenca ka zhvilluar me disa nxënës të shkollave të mesme.
Të gjithë nxënësve të pranishëm iu dha mundësia për t’i bërë pyetje Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella. Por nga të gjithë ajo që tërhoqi vëmendjen ishte pyetja e djalit shqiptar të quajtur Fabio Sinani.
“Gjatë punës tuaj të përditshme, a duhet të nënshkruani ligje me të cilat ju nuk jeni dakord dhe si silleni në këto raste?” – ishte pyetja e vogëlushit shqiptar.
Edhe vetë presidenti u gëzua nga pyetja e fëmijës dhe e vlerësoi atë si shumë të mirë, duke ju përgjigjur më tej se po ka ligje të tilla.
“Kur kam ndonjë masë, ndonjë ligj të Parlamentit, ose një dekret të qeverisë, unë edhe nëse nuk pajtohem plotësisht me të, kam për detyrë ta nënshkruaj, edhe nëse mendoj ndryshe.
Unë duhet të heq dorë nga bindjet e mia personale, sepse unë duhet të respektoj atë që thotë Kushtetuta: Zgjedhja e ligjeve i takon Parlamentit. Dhe në qoftë se nuk e nënshkruaj dal kundër Kushtetutës.
Por ka një rast në të cilin mundem të mos nënshkruaj: kur ligjet ose aktet administrative kundërshtojnë qartë Kushtetutën.
Por në të gjitha rastet e tjera, idetë dhe qëndrimet e mia nuk llogariten. Dhe unë kam detyrimin për të nënshkruar, pasi nëse të gjithë mendonin se idetë e tyre personale mbizotërojnë mbi rregullat e diktuara nga Kushtetuta. Republika nuk do të funksiononte më” – u shpreh presidenti italian.
Ky takim është mbajtur në nëntor të 2017-ës, por mediat e kanë risjellë për shkak të situatës politike aty pasi Presidenti nuk pranoi të mandatonte qeverinë e partive “Lëvizja 5 yjet” dhe “Lega Nord” duke e konsideruar atë si anti-europiane.