Kryeministri i Austrisë dhe ministri i Brendshëm i këtij vendi i kërkuan sot Tiranës zyrtare të ndalte trafikun e klandestinëve nga Greqia, përmes Shqipërisë drejt vendeve të BE-së, e vecmas drejt Austrisë. Kryeministri austriak e ngriti këtë cështje gjatë një takimi më homologun shqiptar Edi Rama ndërsa ministri i Brendshëm austriak gjatë një telefonate të kryer me Xhafajn.
Kjo është hera e parë që alarmi për një fenomen kriminal në Shqipëri vjen nga vendet e tjera ndërkohë që policia shqiptare e ka fshehur këtë problem duke raportuar mjaft rrallë për kalime refugjatësh.
Rritja e numrit të migrantëve nga vendet e treta, të cilët kalojnë përmes vendeve të Ballkanit drejt vendeve të BE-së, ishte fokusi kryesor i bisedës mes dy ministrave të Brendshëm ai i Shqipërisë Fatmir Xhafaj dhe ai i Austrisë Herbert Kickl.
Pavarësisht masave të shtuara, vihet re një numër në rritje i migrantëve që depërtojnë përgjatë kufirit me shtetin grek. Një pjesë e tyre kërkojnë azil, një pjesë sistemohen në Qendrat e Përkohshme të Pritjes, por qëllimi i tyre final mbetet rrugëtimi në vendet e BE-së, thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme të Shqipërisë.
Sipas Ministrit të Brendshëm të Austrisë, kriza ka sjellë një farë tensioni, duke lajmëruar kështu edhe një frenim të entuziasmit austriak për hapjen e negociatave me Shqipërinë por kësaj here për një shkak të ri.