Policia e Kosovës ka dhënë një lajm shumë të mirë. I mituri E.T. i rrëmbyer mbrëmë në qytetin e Shtimes është paraqitur rreth orës 00:15 në rajonin policor të Ferizajt. Policia e Ferizajt tha se viktima ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe sipas deklaratës së tij, ai kishte arritur që të dilte nga automjeti i të dyshuarve dhe të paraqitej në polici.
“Më 9.4.2018 rreth orës 00:15 minuta, viktima është paraqitur në stacionin policor në Ferizaj .Viktima është në gjendje të mirë shëndetësore dhe sipas deklaratës së tij, ai kishte arritur që të dalë nga automjeti i të dyshuarve dhe është paraqitur në polici”, thuhet në njoftimin e Policisë. Hetuesit janë duke i vazhduar hetimet për zbardhjen e rastit. Mbrëmë, rrëmbyesit e 11-vjeçarit familjes Tafa i kërkonin 50 mijë euro. Motivet ende nuk dihen, por dihet që babai i djalit kishte marrë një mesazh në telefon, ku i kërkohej që të grumbullonte 50 mijë euro si kusht për lirimin fëmijës.