Tetë vjet më parë, lajmi i vetvrasjes së aktorit të madh me famë botërore, Bekim Fehmiu tronditi botën e artit e kultures. Ai kreu aktin e vetëvrasje në banesën e tij në Zvezdara, në rrethinën e Beogradit. Sipas mediave beogradase, thuhej se Fehmiu kishte qenë kohëve të fundit i sëmurë.
Bekim Fehmiu, u lind më 1 qershor 1936 në Sarajevë. Gjurmët e tij në kinematografinë e huaj dhe atë shqiptare nuk janë të vogla. Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.
Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura të Bekim Fehmiut janë “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra.
Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë.