Aurel Plasari: Teatri Kombëtar mbart kujtesën historike të shtetit shqiptar

Tuesday, 18 September 2018 18:03

Artistë, juristë, personalitete të artit e kulturës, politikanë, gazetarë e qytetarë, dashamirës të teatrit,  janë mbledhur sot paradite në sallën “Gëte” në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në një tryezë të rrumbullakët në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Profesor Edmond Tupja, Fatos Lubonja, Maks Velo, Bashkim Zahaj, Aurel Plasari, Edmond Budina, Kastriot Çipi etj që morën fjalën në këtë tryezë theksuan edhe një herë rëndësinë e këtij teatri dhe domosdoshmërinë e rikonstruksionit të tij dhe jo të prishjes. Arkitekti dhe shkrimtari Maks Velo theksoi se “Fajin e kemi vetë. Ne presim çdo gjë nga ndërkombëtarët. Ne nuk e kapërcejmë dot vjedhjen dhe kjo këtu është aferë vjedhjeje, nuk është aferë teatri. Prandaj është vështirë dhe nuk di si ta kapërcejmë këtë gjë, këtë gjendje ku jemi katandisur”. Ndërsa profesor Aurel Plasari, në fjalën e tij, ndër të tjera tha se “unë do të shkruaj një artikull ku të them se ai projekt që na paraqiti arkitekti danez është bizhu europiane, botërore. Ai arikteti, që thotë Rama, unë do të shkruaj se është më i madhi. Po kjo nuk ka asnjë lidhje me peshën e kompleksit të këtushëm. Dhe ky është kurthi ku të fut Rama. Kjo është hile. Unë nuk di ndonjë shoqatë apo organizatë që të thotë unë nuk dua teatër. Kauza këtu është që të mos prishet kjo ndërtesë, që mbart kujtesën historike të shtetit shqiptar. Nuk ka shteti shqiptar ndërtesë më të vjetër me të gjitha ngarkesat historike”. Tryeza zgjati rreth tre orë dhe diskutantët e shumtë konverguan një pikë të vetme, ruajtjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar!

Tryeza e sotme pasoi protestat e shumta të artistëve në mbortje të godinës. Ndërsa zhvillohej kjo tryezë, maxhoranca dhe opozita janë përplasur në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese për ligjin për teatrit, duke shkëmbyer akuza të forta.  Maxhoranca ka pranuar dekretin e Presidentit dhe ka bërë amendime në ligjin për teatrin duke pranuar tashmë garë, ndërsa opozita ka kërkuar të mos bëhen arnime në ligj. Pas debateve deputetët e opozitës kanë lënë mbledhjen, ndërsa maxhoranca ka votuar e vetme nen për nen ndryshimet ligjore.

Login to post comments