Artistët e TOB prova në sallën e konferencave të Kumbaros, probleme me akustikën dhe mungesë kushtesh minimale. Orkestra ka “fatin” e madh që të zhvillojë provat në sallën e Ministrisë së Kulturës. Kumbaro ka bërë aq shumë për artin saqë u ka lëshuar zyrat e saj artistëve dhe përsëri ata ankohen. Ata pohojnë se salla në Ministrinë e Kulturës, ku herë pas here aty zhvillohen dhe të tjera aktivitete apo dhe konferenca shtypi, nuk plotëson kushtet për zhvillimin e provave. Problemi me akustikën është shqetësues, por në këtë situatë ata pohojnë se janë me shpresën e përfundimit të rikonstruksionit të godinës së Teatrit të Operës dhe Baletit. Që nga marsi i 2017 që trupat artistike janë zhvendosur në ambientet e Ministrisë së Kulturës provat e orkestrës zhvillohen në sallën “Tefta Tashko” në katin e dytë të ministrisë në ish Kinostudio. Ishte kryetari i sindikatës së artistëve Rudi Sata që pohoi më herët se akustika është tepër problem dhe kërkonte vëmendje nga Ministria e Kulturës. Por dhe artistët e orkestrës shprehen se e kuptojnë situatën ku ndodhen, por duhen marrë masa për ti minimizuar sadopak problemet. Violinistja Anduena Sula tregon se kërkesa ka qenë dhe për një palë perde për sallën, por kjo ka munguar. “Kjo është më se e evidentueshme që ka probleme. Çdo dirigjent që vjen e konstaton këtë, kushtet minimale nuk janë. Ne nuk po kërkojmë ndonjë akustikë të paparë, por të paktën mos shkatërrohemi. Ne presim të mbarojë rikonstruksioni. Ne jemi ankuar për këtë problem dhe te ministrja. I kemi kërkuar, që aty te salla të vihen disa perde. Ne e kuptojmë që është një situatë tranzitore dhe është një situatë emergjente, por disa perde që i kemi kërkuar, nuk i kemi ende”, pohon ajo. Sipas instrumentistes në kushtet, që janë nuk kanë ku të kërkojnë sallë tjetër. “Ne nuk mund të kërkojmë sallë tjetër, sepse kjo dihet që nuk mundet, vërtetë unë jam në sindikatë dhe luftojmë, por jo me mullinjtë e erës, por për gjëra të bëshme jo të pabëshme. Ne rrezikojmë probleme me dëgjimin aty. Nëse ka punë intensive, ka dhe pesë orë prova”, pohon violinistja Sula. Kryetari i sindikatës së artistëve dhe punonjësve të TKOBAP tenori Rudi Sata bën me dije se ka raste që aty shkojnë dhe kori apo dhe solistët, ku bashkë me orkestrën ajo sallë është shumë e vogël. “Akustika është e tmerrshme për orkestrën imagjinoni kur vijnë dhe bëjnë prova dhe solistët dhe kori, pra është shumë problem. Në atë sipërfaqe që ka ajo sallë që është më shumë e lartë se sa e gjerë aty vijnë rreth 80 -90 veta dhe është një akustikë e tmerrshme për secilin njeri, dhe jo vetëm që shkatërrohet sistemi nervor, por nuk është as profesionale. Salla te TOB do të ketë parametra profesionale dhe nuk do të jetë do si do, ne e kuptojmë dhe situatën që jemi, por njëkohësisht dhe këta duhet të na kuptojnë”, pohon Sata.
Dirigjenti Edmond Doko në lidhje me këtë situatë tregon se puna vijon normalisht për orkestrën, por shpresa e tyre mbetet përfundimi i rikonstruksionit të TOB. “Ne aty punojmë sepse nuk ka një sallë tjetër. Puna aty vijon dhe ne presim rregullimin e sallës së re. Ambientet e punës, në kushtet kur bëhet një restaurim natyrisht që gjërat nuk do të jenë vaj. Ajo është një sallë e madhe e lartë, por jo në parametrat që kërkon një punë normale për provat, por është e përshtatur. Çfarëdo lloj ndërhyrje të bësh janë dëm paratë, vetëm salla është shpëtimi. Salla e re do të jetë bashkë me godinën. Shpëtimi është durimi, me sa dimë ne pak a shumë dhe një vit, pra fundi i 2019- deri te fillimi i 2020. Është një situatë tranzitore”, pohon dirigjenti Doko. Më tej ai shton se salla ku kanë punuar më parë ka qenë dhe me kushte më të vështira. “Atje ku ishim më parë ishim në kushte më të këqija. Një sallë teatri, që e ndërtuan rusët për restorant dhe u përshtat për orkestër opere. Salla që kishim ishte më e keqe se kjo, dhe ajo ishte e sajuar. Së fundmi pas një viti ne do të shkojmë në një sallë të parametrave europianë”, pohon dirigjenti Doko. Ndërhyrja dhe rikonstruksioni i plotë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit e Ansamblit Popullor është bërë me herët me dije se është parashikuar të shtrihet në vitet 2017-2020.