“Peng”, drama e Saimir Gongos premierë te “Turbina”

E mërkurë, 19 September 2018 11:08

Drama “Peng” shkruar dhe me regji nga Saimir Gongo pritet të jetë premierë te “Turbina”. Vepra shqiptare ka bërë bashkë me role aktorët e Teatrit Kombëtar dhe teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Drama shqiptare “Peng” me ngjarjet që zhvillohen në shoqërinë tonë në ditët e sotme, në qendër të veprës është një familje, si dhe trajtohen dy linja. E para, që trajton raportet e televizionit me shoqërinë tonë, dhe linja e dytë në shfaqje është një individ, që përpiqet të gjejë vendin e vet. Ai përpiqet të sistemojë jetën e tij në vështirësitë, që ka vendi ynë. Në role janë aktorët Neritan Liçaj, Olta Gixhari, Amos Zaharia, Suela Dako, Ervin Doko dhe Jaho Guma nga teatri i Durrësit, si dhe dy aktorë të jashtëm të teatrit që janë Kastriot Shehi dhe Erion Hodo, që është edhe asistent regjisor. Në shfaqje janë disa personazhe kryesore, mes tyre Justin interpretohet nga aktori i njohur Neritan Liçaj. Aktori vlerëson punën, që është bërë për këtë shfaqje dhe pohon se para premierës të datës 24 shtator në Tiranë do të jetë dhe një tjetër në teatrin “Aleksandër Mosiu” në Durrës. “Mbrëmjen e së shtunës ne do të kemi një premierë, por jo ajo zyrtare te teatri në Durrës, ku do të jenë të ftuar spektatorë dhe miqtë tanë. Ndërsa premierën zyrtare e ka tek “Turbina” në orën 21 të mbrëmjes, që është dhe festivali i teatrit”, tregon aktori. Pas suksesit me shfaqjen “Shtëpia dritare” regjisori Saimir Gongo vijoi punën gjatë verës me aktorët për një tjetër premierë shqiptare. Regjisori ka pohuar më parë se gjendet para përgjegjësisë për një shfaqje të mirë. “Ndjehem para një përgjegjësie dhe dua të justifikoj dhe besimin që më kanë dhënë dy teatrot. Shpresoj që të bëjmë një shfaqje të mirë”, ka treguar regjisori Saimir Gongo.

Vepra premierë vjen në skenë si rezultat i aktivitetit “Netët e leximit të dramës shqipe” në Teatrin Kombëtar. Drama “Peng” si bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar dhe teatrit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit në skenën teatrore do të vijojë në sezonin artistik për publikun.  Edhe pse vepra teatrore “Peng” është një dramë dhe ka dhe një fund tragjik, siç ka pohuar më parë regjisori Gongo kjo nuk do të thotë që gjatë gjithë kohës do të ketë lot, pasi ka dhe momente me nuanca komike. Premiera e shfaqjes do të jetë më datë 24 shtator, duke qenë pjesë edhe e shfaqjeve të tjera që janë në ditët e festivalit dhe sjellin në Tiranë trupa të tjera teatrore.

Login to post comments