Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” sjell premierën e re “Kumt”. Me regji dhe koreografi nga Gjergj Prevazi, koreodrama vjen në skenë në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit. Gjatë këtij viti janë zhvilluar veprimtari të ndryshme artistike dhe kulturore, por këtë herë premiera me regjinë e koreografit të njohur Gjergj Prevazi është mbrëmjen e datës 26 shtator në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. “Kumt” është koreodramë e punuar nga koreografi Gjergj Prevazi, nën udhëheqjen artistike të Ylber Asllanajt.
Muzika është realizuar nga Valton Beqiri, ndërsa kostumografia vjen e realizuar për këtë shfaqje me artistët e ansamblit “Shota” nga Vesa Kraja. Po ashtu ky ansambël aq i njohur në Kosovë, por me koncertet e tij gjithashtu dhe Shqipëri më parë këtë vit pati edhe një premierë tjetër, atë me titull “Lulet e Marsit”, të autorit Xhemali Berisha. Kjo premierë u realizua për nder të 20- vjetorit të “Epopesë së UÇKsë” dhe rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” me shfaqjen e re “Kumt”, që këtë herë është realizuar me regjinë e koreografit Prevazi pas premierës në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk do të mungojë dhe në një festival teatri, që nis në muajin tetor.
Në Dibër të Maqedonisë do të mbahet edicioni i XVIItë i festivalit teatror “Teatri Shqiptar në Maqedoni” nga data 5- 11 tetor. Në hapjen e festivalit do të prezantohet Ansambli i Këngëve dhe Valleve nga Kosova “Shota” dhe shfaqja përshëndetëse- koreodrama “Kumt”, kushtuar figurës historike Gjergj Kastriot Skënderbeu. Koreografi Gjergj Prevazi, që këto ditë ndodhet në Kosovë për premierën e tij të radhës, edhe në skenën e Tiranës ka prezantuar shfaqje të ndryshme në vijim të aktivitetit të tij. Por ky sezon artistik për Prevazin nis me një premierë koreodramë, që mban emrin “Kumt”.