Etnografia dhe arkeologjia e Shqipërisë, në penelin e piktorit Rakip Shabani

Diel, 30 September 2018 18:26

Etnografia dhe arkeologjia e Shqipërisë ishte në qendër të 40 punimeve në piktura vaji, akuareli dhe grafika të piktorit Rakip Shabani, të çelur në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

E çelur në kuadër të 29 shtatorit, “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” dhe të “Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore”, në ekspozitën “Identitet”, morën pjesë artdashës të shumtë.

Aktivitetin e përshëndeti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, i cili në fjalën e tij tha se “ekspozita e piktorit Rakip Shabani përmban rreth 40 piktura me tematikë nga objekte të ndryshme të trashëgimisë sonë popullore të gërshetuara me kostume etnografike të trevave të ndryshme të Shqipërisë”.

“Në ekspozitë tërheqin vëmendjen objektet e Muzeut Historik Kombëtar, të cilat piktori Shabani me shije të hollë artistike i ka ndërthurur me kostume tradicionale popullore. Ndër to mund të përmendim mozaikun e Mesaplikut, vulën dhe përkrenaren e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, skulptura antike etj”, tha Koçi.

Ndërsa për autorin e ekspozitës Anila Kati u shpreh se “Rakipi ka qenë profesori im i parë. Kam ndjekur punën e tij dhe jam e mahnitur nga titulli që i ka vënë ekspozitës “Identitet” dhe unë identitetin shqiptar e shoh në tablotë e tij të cilën e shpreh në mënyrën më të mirë. E përgëzoj për punën e tij të palodhshme”.

Gjatë fjalës së tij piktori Ksenofon Dilo shprehet se “Rakipi në pikturat e tij ka dhënë shpirtin romantik. Kur shohim punimet e tij me karakter popullor ne krenohemi me ndjenjën e brendshme të piktorit”.

“Kjo ekspozitë ka vlera të veçanta. Arti është modern sepse përfaqëson shpirtin e artistit. Unë e kam pasur student dhe jam krenar që piktori Rakip Shabani ka arritur këtë ekspozitë kaq të përkryer”, shtoi Dilo.

Ekspozita “Identitet” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 30 shtator 2018 në Hollin Kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.

Login to post comments