Kur e kishte hequr shpresën se do të rikthehej në sheshin e xhirimit, aktori i shquar i kinematografisë, Birçe Hasko, merr një ftesë për të interpretuar në filmit artistik "Sfida'', që tashmë i ka përfunduar xhirimet. Skenari dhe regjia nga Lulzim Sula. Në rolet kryesore janë aktorë të njohur, si Birçe Hasko, Bujar Asqeriu dhe Suela Konjari. Korça ishte këtë herë vendi ku u zhvilluan xhirimet e filmit “Sfida” që pritet të jetë premierë në muajin e fundit të vitit. “Sfida” vjen si një produksion i ri nga "Production Cinemania" me producent Skënder Jaçe. Filmi trajton një temë të ditës dhe ka në qendër të vëmendjes njeriun e thjeshtë. Një grua, e cila ka ngritur një fasoneri me kurajo të madhe, duke u përballur me konkurrencën dhe një treg të vështirë në këtë fushë, qeraja e lokalit, siguracionet, rrogat e grave të punësuara etj. Kur tregu për shitjen bëhet i vështirë, e sjellin atë në pozita të vështira falimentimi. Por në jetë ka të papritura, dikush i afrohet për ndihmë, ngjarjet rrokullisen në situata të reja dramatike. Si do të vejë fundi i kësaj gruaje të dëshpëruar, e cila jeton e vetme me vajzën e saj? Gjithmonë në jetë ka një forcë energjie, që qënies njerëzore i jep kurajo, për të arritur që të jetë diçka në jetë, duke menaxhuar mirë personalitetin njerëzor. E gjitha kjo ngjarje do të tregohet në filmin “Sfida”, por producenti Skënder Jaçe tregon se tashmë kalon në post-produksion, ku do të ketë një montazh digjital, miksazhin dhe kolonën zanore, që do ti besohet një kompozitori të njohur. “Ai do ta shikoj dritën e projeksionit në premierën e tij të parë në qytetin e Korçës në prag të Krishtlindjeve, ku dhe u xhirua e u mirëprit me ndihmën e madhe të qytetarëve korçarë dhe bashkisë të këtij qyteti”, tregon Skënder Jaçe, producent i filmit.
“Qindra sy e ndiqnin me admirim në sheshin e xhirimit në qytetin e Korçës aktorin e njohur profesor Birçe Hasko. Gjatë kohës që ai përgatitej të fillonte xhirimin vjedhurazi i bëmë disa foto nga pas. Hapat e tij me bastunin në rol, dukeshin sikur i thonin pleqërisë: "Ti s'më mund dot". Ecte dhe përsëriste rolin me një emocion që vetëm artisti e përjeton aq bukur. Pasi filloj xhirimi, u bënë dy dubla, regjisori nuk po ndihej mirë. Dhe kishte të drejtë. Madhështia e këtij aktori përpara dy infermiereve në role episodike, bëri që ato fillimisht të hutohen dhe të ngatërrohen, por ai di ti nxjerri nga hutimi”, tregon producenti Jaçe, duke pohuar se Hasko është një vlerë, që rrallë do ti vijë filmit shqiptar.