Piktori grafist Abaz Hado, ish-drejtori i GKA, thotë se ky institucion duhet të ndryshojë në koncept, por jo objekt. Për dr. Abaz Hadon nuk qëndron problemi që janë pak ekspozita për GKA, por me rëndësi është që të bëhet më e mira për atë institucion. Në Galerinë Kombëtare të Arteve ka një linjë muzeale, dhe sipas tij nëse marketohet dhe menaxhohet mirë kjo mundet që të shtojë publikun që vjen në galeri.
“Mund të them që për Galerinë Kombëtare të Arteve po flitet shumë dhe në media. Por unë duke qenë dhe ish drejtor i GKA në një situatë tjetër, besoj që ka ardhur koha dhe këtë duhet ta pranojnë dhe artistët që galeria kombëtare në Shqipëri të ketë një koncept tjetër. Dhe ky koncept që drejtori aktual po e afishon po tregon që ka kërkesa për një nivel të lartë. Pra për ta çuar Galerinë Kombëtare të Arteve në ato kërkesa të një institucioni, që shkon paralel me të gjithë ekspozitat dhe galeritë nëpër vendet evropiane dhe më tej. Kjo është gjë pozitive. Mbaj mend që kur kam hapur ekspozitën time me grafika në Galerinë Kombëtare të Arteve, kujtoj që jam shprehur që kjo është e fundit ekspozitë që bëj për arsyen e thjeshtë sepse në GKA është nder i madh të ekspozosh në atë institucion. Ashtu sikundër nuk më duket e drejtë që të trysnohet Galeria Kombëtare e Arteve nga çdo lloj artisti për të hapur ekspozitë. Ashtu si nuk mund të pranoj që një artist të hapi në GKA ekspozita, kushdo qoftë ai. Artisti mund të hapi një ekspozitë kur ka akumuluar vlerë dhe ka sjell një risi dhe formë që vërtetë i duhet sot artit, dhe është pjesë e kërkesave për nivel të lartë. Unë e përkrah këtë drejtor, që është tani në GKA për tendencën që ka ai për ta çuar galerinë kombëtare në një standard tjetër. Kjo është gjë e mirë. Gjithashtu besoj që GKA do t’i bënte mirë dhe linja tjetër që janë botimet, diskutimet, që janë lektoriumet. Pra të jenë sa më të shpeshta format edukuese në galeri ashtu siç ka dhe atelienë. Por Galeria Kombëtare e Arteve duhet të ketë synimin që të shtojë vizitorët e saj.
Në Galerinë Kombëtare të Arteve ka një linjë muzeale, që nëse marketohet dhe menaxhohet mirë kjo mundet që të shtojë publikun që vjen në galeri. Sepse duke qenë e vetmja mund të bëjë dhe edukimin, përmes atyre që shpjegojnë veprën e artit, mund të përfitohet dhe me vizitat nga shkollat, studentët, grupe të tjera që mund të jenë pjesë e GKA dhe me vizitat e tyre ta bëjnë më funksionale këtë institucion.
Galeria Kombëtare e Arteve realisht ka pasur botime për artistët. Kjo bëhet në periudhë kur ka përvjetore, mund të ketë ekspozita retrospektive, simpoziume, monografi, sigurisht për artistët që janë më në zë. Mund të botojnë dhe përqasjet me artet dhe rrymat. Pra ka shumë aspekte, ku mund të preket kjo gjë në fushën e botimeve”, përfundon Hado.