Nga Aurel Plasari
I kushtohet poetit Josif Brodski (1940-1996), sapo do të thosha. Por nuk do ta pranonte autori i filmit që e ka saktësuar ndryshe: “Nuk kam dashur që filmin ta merrnin si film “për Brodskin”. Ky është film për veprat e Brodskit, simbas vizatimeve të tij, simbas materialeve të biografisë së tij, para së gjithash i frymëzuar nga proza e Brodskit, që më nxiti e që i dha jetë punës sime”.
Çfarë nuk ka hequr poeti i madh në atdheun e vet! Ndalime botimi, bastisje, asgjësime dorëshkrimesh, akuza, poshtërime, arrestime, dënime, deri mbyllje në spital psikiatrik. Ato copa procesverbalesh të procesit të tij, që mundën të delnin jashtë Bashkimit Sovjetik, u dukën të pabesueshme në Perëndim:
Gjyqtari: Vjetërsia në punë?
Brodski: Afërsisht...
Gjyqtari: Neve nuk na intereson “afërsisht”!
Brodski: Pesë vjet.
Gjyqtari: Ku ke punuar?
Brodksi: Në uzinë. Në sektorët e gjeologjisë...
Gjyqtari: Sa ke punuar në uzinë?
Brodski: Një vit.
Gjyqtari: Çfarë pune?
Brodski: Frezator.
Gjyqtari: Cili është profesioni yt i vërtetë?
Brodski: Poet, poet përkthyes poezie...
Gjyqtari: Kush e ka njohur që ti je poet? Kush të ka klasifikuar si poet?
Brodksi: Askush. Po si qenie njerëzore kush më ka klasifikuar?
Gjyqtari: Ke bërë shkollë për këtë?
Brodski: Për çfarë?
Gjyqtari: Për të qenë poet. Ke mbaruar gjë universitetin ku përgatiten... ku jepet mësim...?
Brodski: Nuk e kam ditur... nuk e kam menduar që poezia mësohet nga shkolla.
Gjyqtari: Po nga mësohet?
Brodski: Mendoj se... se... nga Zoti.
* * *
Në kulmin e “liberalizmit” sovjetik autoritetet ia nxinë jetën derisa më 1972 e detyruan të largohej nga Bashkimi Sovjetik: ashtu, gjysmë të arrestuar, e çuan në aeroport dhe e hipën në avionin për Vjenë, vetëm me biletë vajtjeje.
Mbas vendosjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lavdia ndërkombëtare e Brodskit si poet nuk mund të ndalohej më. Nga njëra anë u ftua e dha leksione për poezinë dhe letërsinë në institucione me emra të mëdhenj të ShBA dhe më përtej: Queens College, Smith College, Columbia University, Cambridge University, University of Michigan, Mount Holyoke College etj. Nga ana tjetër vargu i vlerësimeve dhe çmimeve për të nuk kishte fund: Doctor of Letters at Yale University, Member of the American Academy and Institute of Arts and Letters, the "Genius" aëard from John D. and Catherine T. MacArthur Foundation, the National Book Critics Aëard, honorary doctorate of literature from Oxford University etj., deri te çmimi “Nobel” më 1987.
Kjo pra ishte për poetin bota e lirisë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
* * *
Edhe pse filmi titullohet “Një gjysmë dhome ose udhëtim sentimental në atdhe”, Brodski nuk shkeli kurrë më në Rusi. Ndonëse më 1989 u rehabilitua nga procesi i turpshëm i vitit 1964, ndonëse më 1992 filluan t’i botohen në atdhe Veprat e Plota, ndonëse më 1995 u shpall “Qytetar Nderi” i Shën Peterburgut, ftesave të shumta nga Rusia ai iu përgjigj duke u justifikua me gjendjen shëndetësore. Por edhe me argumentin vendimtar: “Pjesa ime më e mirë është tanimë atje: poezitë e mia”.
Në ilustrim, përpos fotove të filmit, edhe fotoja e valixhes historike, të vetmes me të cilën qe lejuar të delte nga Bashkimi Sovjetik më 4 qershorin e vitit 1972. Në të kishte makinën e shkrimit, dy shishe vodkë për mikun e tij poet Ëystan Hugh Auden dhe një vëllim me poezi të tjetrit poet John Donne. Valixhja me kapelën ruhen në Muzeun e Anna Ahmatovës, në “Shtëpinë e Fontankës”, Shën Perterburg.