Poeti Bardhyl Londo shprehet se deklarimet që bën ministrja e Kulturës janë dhe si një tallje përballë gjendjes që kanë sot bibliotekat, duke shtuar se mungojnë politikat për librin. Sipas tij, edhe promovimi i autorëve shqiptarë me krijimtarinë e tyre mungon, dhe bëhet fare pak përmes iniciativave private apo shoqatave të ndryshme. Për poetin Bardhyl Londo ministria ka krijuar një rreth të ngushtë dhe këtë fond e shpërndan nga njëri tek tjetri atje. Problem i madh për poetin është dhe gjendja e Bibliotekës Kombëtare. Sipas tij, të jetë në atë gjendje Biblioteka Kombëtare, ku librat pas një shiu thahen nëpër dritare nuk ka skenë më tragjike.
“ Pothuajse nuk është bërë asnjë gjë, për të promovuar autorët shqiptarë me krijimtarinë e tyre letrare , për të mos thënë me plot gojën që nuk është bërë asgjë. Të gjithë promovimet janë në sensin e grupimeve politike, ose në sensin e grupimeve shoqërore ata pak që janë bërë. Por vlerat e vërteta të letërsisë shqipe absolutisht nuk janë promovuar dhe nuk ka ndërmend fare ti promovojë kush me përjashtim të iniciativave private apo të shoqatave të ndryshme, që dhe këto për fat të keq këtu mungojnë.
Nuk është puna vetëm te bibliotekat, te infrastruktura që kërkohet në këto raste që është tepër e rëndësishme, që është në gjendje të mjerueshme. Por është problem, sepse po ikën fare respekti dhe interesi për librin. Po zverdhet fare interesi për librin dhe këtu ka lloj-lloj praktikash, që ndikojnë, nuk është thjesht ndikimi i internetit, ndikimi i problemeve të tjera që njihen në botë. Por këtu tek ne është problem që mungojnë politikat për ta bërë librin të dashur dhe për ta çuar në gjithë Shqipërinë. Çfarë do presësh nga një vend, ku dhe në Tiranë nuk ke akoma një librari si duhet. Në të gjitha qytetet kryesore të vendit nuk ke fare librari. Në Tiranë ke disa pseudolibrari që nuk janë librari, por janë si dyqane të zakonshme mallrash. Kur unë do të t’ju thosha që shkoni pak më larg në një qytet më të vogël siç është Podgorica e Malit të Zi. Shikoni se çfarë biblioteka ka atje, çfarë librarie ka atje, që është moderne. Kurse në Tiranë që është 2- fishi i krejt Malit të Zi nuk gjen një librari.
“Lëvizjes Kombëtare për Lexim” është si një tallje kur shikon një gjendje katastrofike në Shqipëri, ku çdo vit vjen duke u rënduar dhe çdo vit po bëhet gjithmonë dhe më keq të lëshosh disa parulla demagogjike, gjasme për dashuri ndaj librit, dhe për nevojën ndaj librit, do të thotë që të tallesh me gjendjen dhe që ta rëndosh akoma dhe më shumë këtë gjendje. Sepse pavarësisht këtyre parullave demagogjike, asgjë nuk bëhet përgjatë gjithë vitit. Madje ata që lexojnë më pak janë ata që bërtasin më shumë që lëshojnë parulla të tilla, që kujtojnë se i dinë të gjitha gjërat, por në fakt nuk dinë asgjë
Fondi që jep Ministria e Kulturës në ndihmë të autorëve dhe përkthimeve është tepër i paktë dhe i papërfillshëm. Nuk luan asnjë rol në peshën, që duhet të ketë ai në këtë fushë. E dyta, ky është një fond thjesht klientelist, që iu jepet miqve dhe nuk iu jepet kurrë “armiqve”, që mund ta meritojnë. Ministria ka krijuar një rreth të ngushtë dhe këtë fond e shpërndan nga njëri tek tjetri atje. Është më tepër një qokë, që u bën disa prej autorëve se sa një qokë që i bën disa përkthimeve, të veprave të vërteta në letërsinë shqipe. Ndikimi i tij është pothuajse zero, për të mos thënë që është ndikim që prish krejt atmosferën midis vetë përkthyesve.
Pas pak ditësh hapet edicioni i 21 i Panairit të Librit. Unë besoj që panairet e kanë marr rrugën e tyre, kuptohet në sajë të iniciativës private. Edhe në sajë të autorëve dhe botuesve, por çështja është në Panair të Librit mos të futen problemet që përmendem për Ministrinë e Kulturës, sepse kanë filluar të ndihen dhe atje probleme të tilla. Por le të shpresojmë që të jenë të izoluara, sepse prej tyre nuk shpëton dot. Të jenë në shkallë tepër të vogël dhe të izoluara dhe të vijnë gjithmonë duke u përmirësuar, dhe duke u zhdukur këto probleme.”