Ndahen çmimet “Harpa”, nderohet Akademia e Shkencave të Shqipërisë

Diel, 23 December 2018 10:54

Ka përfunduar edicioni i gjashtë i çmimeve kombëtare “Harpa”, i cili si çdo vit tjetër ka mbledhur figura e personalitete të njohura në një mbrëmje gala. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore, e kthyer tanimë në një traditë, ka sjellë në vëmendjen e publikut emra, institucione e personazhe me kontribute të vyera në disa fusha të artit, kulturës e letërsisë.

Fjalën e hapjes e mbajti presidentja e Fondacionit “Harpa”, Majlinda Rama, e cila theksoi se çmimet “Harpa” edhe këtë vit,  shkojnë për emra dhe institucione që i kanë shërbyer të mirës së përgjithshme, që kanë ndihmuar në rritjen e cilësisë dhe përsosjes së artit dhe kulturës si dhe në zhvillimin dhe ngritjen imazhit kombëtar në botë.

Kështu, çmimin e madh “Harpa” e dorëzoi drejtuesja e Fondacionit,  Rama për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me motivacion “Për kontribut të çmuar në ngritjen dhe thellimin e dijes, për arritje të veçanta në shkencën dhe kulturën kombëtare shqiptare”. Këtë çmim e tërhoqi akademiku i asociuar Shaban Sinani, i cili u shpreh se “ky është një gjest fisnik që Fondacioni “Harpa” i jep këtë mirënjohje Akademisë së Shkencave. Ky është një çmim në çastin e duhur, që ne e vlerësojmë shumë. Ky është i vetmi çmim, mesa di unë që i është dhënë Akademisë së Shkencave që nga krijimi i saj në 46 vjet dhe i vjen në një moment ringritjeje, kur më shumë ka kritika për të sesa vlerësime. Është një inkurajim vërtetë shumë i rëndësishëm për ne. Akademia e Shkencave i njeh detyrimet e saj edhe për trashëgiminë shpirtërore, por ky çmim na bën të vlerësojmë më me përgjegjësi mundësitë për bashkëpunim më të frytshëm me fondacionin “Harpa” dhe institucionet kulturore e shkencore”, tha akademiku i asociuar Shaban Sinani në emër të ASH-së. Gjatë ceremonisë akademik i asociuar Gjovalin Shkurtaj u ftua të dorëzonte çmimin e personalitetit “in memoriam”, që Fondacioni “Harpa” këtë vit ia akordoi poetit Fatos Arapi, i ndarë nga jeta disa muaj më parë.

Edhe prefekti i qarkut Fier, Baki Bala u shpreh se kjo natë është në nderin e qytetit të Fierit, pasi brenda një salle të vogël gjendet e gjithë Shqipëria bashkë. Sipas Balës, merita i shkon Fondacionit “Harpa” që ka mundur ta mbajë e ta përsosë këtë aktivitet nga viti në vit.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit të Qarkut, Vangjel Ndreka, ka thënë se Fondacioni “Harpa” është vlerë e shtuar kombëtare që ka ditur t’i japë një fytyrë serioze këtij çmimi, duke e bërë atë një ndër më autoritarët në rang kombëtar dhe jo vetëm.

virion.jpg

Ndërkohë, “Njeriu i vitit 2018” u shpall spikeri i mirënjohur Dhimitër Gjoka me motivacion “Për kontribut në fushën e gazetarisë televizive. Prezantues që përçon profesionalizëm, besueshmëri dhe autoritet. Figurë dhe zë i dashur për publikun”.

Shkrimtari Virion Graci u shpall shkrimtari më i mirë me motivacionin “Shkrimtar me vlera të larta krijuese. Autor me individualitet krijues që ka krijuar kode unike ligjërimi, duke pasuruar prozën romanore shqipe”. Ndërkohë u vlerësua aktori i njohur Nikolla Llambro, balerini i ri i talentuar Endri Qendro etj. Mbrëmja u shoqërua nga surpriza të shumta dhe pati karakter festiv. Ky është i gjashti vit që nga “Harpa” jepen çmime në fundvit, duke u vlerësuar një sërë emrash të personaliteteve që kanë kontribute të rëndësishme në fushat e tyre. 

 

Login to post comments