Prej datës 13 nëntor 2018 ka skaduar afati për ngritjen e grupit të punës mbi ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.
Regjisori, Kastriot Çipi, shprehet se pas shkeljes së Kushtetutës me vendimin për shembjen e godinës aktuale, kjo është një tjetër shkelje e ligjit.
Kastriot Çipi: 30 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit duhet të ishte ngritur komisioni negociator.Ne kemi të drejtë ta godasim në gjykatë çdo akt që ndërmerret pas kësaj date.
Gjithashtu Çipi ka rezerva edhe për Ministren e re të Kulturës, Elva Margariti, që është një nga firmëtaret për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Kastriot Çipi: Ardhja e Margaritit nuk sjell asgjë të re në këtë mes, ajo do të jetë një ushtare e Ramës siç ka qenë paraardhësja e saj Kumbaro. Çdo Ministër Kulture që emëron Edi Rama është i paragjykuar në start sepse e ka vënë Rama.
Pavarësisht se kompania Bjarke Ingels deklaron se është në pritje të zbatimit të projektit, Çipi shprehet i bindur se ajo është tërhequr.
Kastriot Çipi: Edhe vetë firma ka refuzuar të bëjë transparencë për këtë gjë. Unë dyshoj se Bjarke Ingels është tërhequr për faktin se përpara se të fillonte procedura për ligjin, ai ka qenë i zgjedhur si arkitekt, në mars të vitit të kaluar, ka thënë që kishte një vit e gjysmë që punonte me projektin e Teatrit.
Protesta për Teatrin do të kulmojë në datën 8 shkurt, që bëhet një vit nga nisja e tubimit për mbrojtjen e kësaj kauze.