Në muzeun e Artit Mesjetar në Korçë janë restauruar së fundmi 10 ikona. Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është i veçantë për sa i përket numrit të madh të mjeshtërve, autorëve të ikonave (rreth 10 mjeshtër të ikonografisë) dhe larmisë së fondit të objekteve që administron.
Mënyra e ekspozimit vjen në një frymë bashkëkohore me një rend kronologjik të zhvillimit të mjeshtërisë ikonografike në Shqipëri. Prezantimi i trashëgimisë së Artit Mesjetar të rikthen në gjenezën e mistikes dhe ritualeve të shenjta. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 Prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shekullit XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit. Në sallën kryesore janë vendosur një koleksion ikonash dhe objekte nga më të mirat, krijuar në shekuj e që pasqyrojnë momente të ndryshme të zhvillimit të ikonografisë shqiptare dhe përfaqësuesit kryesorë të tyre.
Aty ka vepra të autorëve anonimë të shekullit XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi etj. Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është një vend mes modernes e të vjetrës, i cili, brenda ambientit të tij bashkëkohor, mban ende të gjallë frymën bizantine. I ndërtuar në vitin 1980 dhe rindërtuar në 2016-ën, ai shtrihet përgjatë bulevardit “Fan Noli”. E vjetra dhe e reja bashkëjetojnë në mënyrë të natyrshme mes një harmonie ngjyrash. Pikërisht ky, muzeu më modern e më i ri në vend, ruan thesaret më të shenjta e të vjetra të cilat kanë mbijetuar e kaluar shumë pengesa për të arritur në vendin ku gjenden sot.