Mbi librin voluminoz të Enver Lepenicës “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar”
Studiuesi Enver Memishaj - Lepenica gjithnjë po befason me zbulimet që bën, me trajtesat dhe thellimet në fushë të historis, të trashëgimisë kulturore të popullit tonë, e, në ato areale, ai e ndjen veten kompetent dhe mendon se ia del për ta dhënë shterueshëm temën që merr në studim. Lexuei i sotëm, interesuar për këtë fushë të krijimtarisë, është njohur vetëm me këngët partizane, autorët e saj, por nuk i ka rënë rasti të njihet me këngët e Ballit Kombëtar dhe autorët e tyre. Por të vërtetat historike e kulturore mësohen e përftohen që në fillim kur fillon e shfleton librin voluminoz të Enver Lepenicës “Himne, këngë dhe marshe patriotike të Ballit Kombëtar” të strukturuar me kapituj të qartë që ruajnë një ritëm zgjerues e përforcues nga faqja në faqe.
Këngët e Ballit Kombëtar të përmbledhura me kujdes, seriozitet dhe në mënyrë shteruese nga autori i librit që marrim në analizë, janë himne, marshe luftarake të cilat i këndojnë lirisë, Shqipërisë, atdheut dhe përcjellin urrejtjen ndaj pushtuesit. Këngët që përmblidhen në këtë libër shprehin shpirtin luftarak, liridashës, gatishmërinë për theror në emër të lirisë së munguar, zgjerojnë frymëmarrjen tematike në dhjetra qindra raste, ngjarje dhe ndodhi, përcjellin kreanarinë për të kaluarën e lavdishme të popullit dhe inspirojnë për botën e drejtë. Si të tilla ato e mbajnë gjallë frymën luftarake dhe kanë një karakter mobilizues i cili përforcohet e merr krah nga thellësia e shpirtit liridashës. Në kapitullin e parë autori ka përmbledhur himne (kulte adhuruese), ku dallohet ai i Kolë Tromarës: ”Sa të rrojë gjithësia”, i Vedat Kokonës:”Kushtrimi”, i Haki Tahës: ”Marshi i Kosovës”, i Xhevat Kallajxhi: ”Ngrehu Vlorë” , ”Bini Toskë e bini Gegë”, ”Himn i kryengritjes”, i Isuf Luzit “Prosopopea”, i Tefik Sfirit etj, etj. Autorë si Vedat Kokona, Beratasi, Izet Vrazhdo nga Bolena, Bardhi- Xhevat Kalljaxhi, Hysni Sheme Sadiku nga Dukati, Dom Mar k Hasi etj, etj, përmes himneve shkulmuese dhe ngjitëse, ngrenë lart gjithnjë vlera të pakontestueshme, i lidhin me historinë, rrethanat e reja dhe krijojnë një realitet të ri të shpirtit patriotik të popullit tonë në atë kohë, po edhe të atyre intelektualëve kurajozë-krijues që me vargjet e tyre ditën të ngrenë lart përmes gjuhës së himnit, vlerën e paçmuar të lirisë.
Për të na treguar vërtetësinë e tyre, studiuesi Enver Lepenica, në fund të çdo himni e kënge, tregon edhe burimet referenciale prej nga i ka shkëputur këto këngë, himne, të cilat vijnë nga shtypi i luftës i Ballit Kombëtar dhe libra e broshura të autorëve të tjerë, kryesisht të kohës së luftës. Për këtë i është dashur një punë e kujdesshme dhe e mundimshme, të cilën e ka realizua, me durim, dhe korrektesë prej njeriu serioz, e me lodhje.
Në kapitullin e dytë pasqyrohen aspekte të Luftës së Dytë Botërore, ngjarje tronditëse si: Shtatë Prilli, evidentohet Flamuri si shenjë e kombëtarizmës dhe idealit të saj, ironizohet klika Dushano-Miladiniste, u këndohet trimave të lirisë, Betejës së Gëhotit, Luftës së Gjormit, Luftës së Drashovicës etj etj, ngjarje që kanë të bëjnë me historinë e Shqipërisë, ku Balli Kombëtar është faktor. Janë dy kapituj interesantë si vazhdim i pa ndërprerë i krijimeve të luftës: “Bijtë kujtojnë baballarët e pushkatuar pa gjyq” dhe vjersha e këngë të Ballit në emigracion. Satira është një vështrim tjetër poetik realist i këtyre këngëve të paraqitura në kapitullin e fundit të librit.
Me durim e kujdes autori i ka mbledhur ato një nga një, në revista, libra, gazeta të kohës, kudo që janë kënduar, shkruar dhe botuar, dhe kështu të ngjan se krijon një enciklopedi poetike me vlera të rralla. Po për gjithë krijimet poetike autori ka dhënë shënime; si kanë lindur, kur, dhe bartësit e tyre si dhe krijuesit, duke plotësuar informacionin e nevojshëm historik, kështu kemi një enciklopedi të vërtetë të historisë së Ballit Kombëtar. Kjo është vlerë si një zbulim që bëhet për herë të parë edhe për faktin se himnet dhe këngët e Ballit Kombëtar mbesin në shumicën e tyre perla të vërteta, kanë një gjërësi pasqyrimi plot hapësira dhe fluiditet, pasqyrojnë vetëm një ideologji: ideologjinë kombëtare.
Qazim Shehu./55news.al/