Nga Mehmet Elezi
Shakja e bulevardit nuk është shakë? Domethënë nuk është qenushe, femra e qenit? Ose, duke përdorur disa prej sinonimeve, nuk është bushtër, buçe, kudër, kuli….? Shakën e ka Fishta te “Lahuta”: «…me iu ruejtun shakes s’terbueme». Për prejardhjen e “shakë” ka mendime të ndryshme. Gjuhëtarët s’e përjashtojnë, mund të jetë edhe fjalë vendi me një lidhje me persishten (edhe ajo gjuhë indoeuropiane).
Shakja e bulevardit nuk është as Shake. Shake në disa treva është i njohur si emër gruaje. I vjetruar. Nuk është përbuzës, fyes, s’ka lidhje me ndonjë fjalë tjetër. Është thjesht shkurtim i emrit Pashake.
Shakja e bulevardit nuk është as shkurtim i emrit tjetër të ngjashëm, Pashako (Nënë Pashakoja, personazh në një film të Kinstudios dikur).
Megjithatë dikush në bulevard i bën thirrje një shake. “Shake ditën tënde, zbavitu”. E lexon kushdo në trotuar, skaj bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Shaken e ftojnë me u zbavitë.
Folja me u zbavitë ka hyrë në gjuhën shqipe, por nuk është shqip. Ka prejardhje sllave. Shqipja ka disa sinonime për të.
Me u argëtue, formim i brendshëm, mbi një rrënjë prej greqishtes.
Me u dëfrye, formim i brendshëm mbi një bazë latine.
Me u rrethë, prej rreth, argëtimi është bërë gjithmonë në shoqëri njerëzish të barabartë. Barazia shfaqej në mënyrën e uljes, në trajtë rrethi. Siç uleshin edhe nëpër kuvende.
Ndër këto katër sinonime, me u zbavitë është folja e fundit që mund të përzgjidhet. Ajo s’ka asnjë element shqip.
Kthehemi te Shakja, në bulevard. Për kë është fjala?
Ndonjë lypëse që shtrin dorën, na fal njëqind lekë, t’i ruajtë Zoti fëmijët?
Ndonjë grua e sojit tjetër, që shkund të pasmet, siç ia do zanati i moçëm?
Jo, qenka dikush që ua kalon të gjitha këtyre. Që i ka të tria, sipas rastit. Edhe të kafshon, edhe lyp, edhe i tund vithet viu-viuh!
Qenka zonja e gjithëfuqishme Pare. Ani pse emrin nuk e thotë drejtpërdrejt.
“Shake ditën tënde, zbavitu”, qenka reklamë. Publicitet i një shoqërie (“kompanie”!) të madhe shërbimesh, që qarkullon miliona e miliona euro. Zonja Pare lutet me e tundë e me e shkundë ditën, për qejf të saj. Përse nuk ua bën ftesën shqip klientëve të vet shqiptarë Zonja e Parë Pare, përse ua dhunon gjuhën? As fjala kryesore “shake”, as ndërtimi i fjalisë nuk janë shqip.
Është paaftësia profesionale, injoranca pa fund e dikujt, që merret me publicitetin në atë shoqëri? Që mund të jetë edhe shqiptar, por nuk lidh dot dy fjalë shqip?
Është një fodullëk prej kolonizatori (këtë nuk mund ta besojmë!), flas si flas unë, ju duhet të më dëgjoni, kam milionat unë?
Tundu e shkundu, shake e bulevardit!