Dialogu Kosovë-Serbi mes kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, do të vazhdojë sot pasdite në Bruksel.
Takimi është parashikuar të nisë në orën 16:00, ka bërë të ditur Bashkimi Evropian përmes një njoftimi.
Në këtë takim, përveç Hotit e Vuçiçit prezent do të jetë edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
“Pas rikthimit virtual të dialogut Beograd – Prishtinë të ndihmuar nga Bashkimi Evropian, të dielën më 12 korrik, një takim i dytë i nivelit të lartë do të mbahet në Bruksel të enjten më 16 korrik. Nikoqir i takimit me prani fizike të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, do të jetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Dialogu është paraparë të fillojë në orën 16:00. Përfaqësuesi i lartë do të japë një deklaratë për media para fillimit të takimit dhe përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak, në fund të takimit. Për shkak të kufizimeve të lidhura me coronavirus, nuk do të ketë qasje të mediave në ndërtesën e EEAS-së”, thuhet në njoftim.