Haradinaj: BE të reagojë për marshin serb ku bëhet thirrje për pushtim të Kosovës!

E Enjte, 10 Janar 2019 16:15

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas marshit të organizuar nga serbët në Banjallukë në të cilinn këndoheshin këngë të cilat bëjnë thirrje për hakmarrje dhe pushtim të Kosovës. Sipas kryeministrit këto janë veprime të cilat kanë për qëllim destabilizimin e të gjithë Ballkanit. Ai ndërkohë ka kritikuar mos reagimin e BE-së lidhur me këto veprime destabilizuese të Serbisë, dhe ka kujtuar gjithë presionin e madh që po bëhet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian drejt Republikës së Kosovës për të hequr vendimin për taksën.

Haradinaj këtë çasje të BE-së e ka cilësuar si të disbalancuar.

 “Provokimet e Serbisë ndaj Kosovës vazhdojnë, tash në satelitin e tyre të quajtur Republika Srpska. Fatkeqësisht Serbia refuzon aktivisht integrimin dhe përqafimin e vlerave europiane.Në Banjallukë një njësit me tipare të pastërta paramilitare në marshin më provokues që synon destablilizimin e tërë Ballkanit këndon këngën e “Heronjëve të Kosovës”, e cila në tekstin e saj thërret për hakmarrje dhe pushtim të Kosovës. Njësiti dhe kënga gjenocidale përcillet me thirrjet kundër Bashkimit Europian”, ka shkruar i pari i Qeverisë.

Haradinaj ka thënë se skena të tilla ia sjellin ndërmend aparaturën e Sllobodan Millosheviqit.

“Kjo skenë që përkujton sentimentin gjakpirës të aparaturës së Millosheviqit, bëhet në nder dhe para Kryeministres kukull të Vuciqit, Ana Bërnabic dhe Ministrit të Mbrojtjes kukull të Rusisë, Aleksandar Vulin”, ka shtuar ndër të tjera Haradinaj.

Kreu i Qeverisë ka kritikuar ashpër mos reagimin e Bashkimit Evropian lidhur me këto veprime të serbëve, duke thënë se ata po reagojnë e po bëjnë presion vetëm kur vjen puna për masat legjitime që vendos Republika e Kosovës.

“Përderisa Bashkimi Europian shfrytëzon të gjitha kanalet për të bërë presion ndaj Kosovës për një masë legjitime dhe ligjore siç është taksa, e e cila përdoret edhe nga shtetet e zhvilluara siç janë ShBA, Franca, Kanadaja etj., vendosë të mbyllë sytë ndaj kësaj skene e cila bën thirrje për luftë e gjenocid”, ka potencuar kryeministri.

Megjithatë ai thotë se edhe përkundër kësaj çasje të Bashkimit Evropian, Kosova do të vazhdojë punën për integrim në Bashkimin Evropian.

“Edhe përkundër këtij disbalansi të politikës së Bashkimt Europian, Kosova është e përkushtuar që të jetësojë idealet europiane në ekonomi, sundim të ligjit, mbrojtje e zhvillim. Synimi ynë strategjik është integrimi dhe anëtarësimi euro-atlantik dhe përqafimi i vlerave të demokracisë, përderisa Serbia ka Rusinë si alternativë kërcënuese në zemër të Europës”, ka përfunduar kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj./GazetaExpress/

Modifikuar më E Enjte, 10 Janar 2019 17:11
Login to post comments