Kosova eksporton shërbime të bizneseve inovative në vlerë prej 30 milionë euro, tha kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.
Në një takim të zhvilluar sot në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Haradinaj tha se kjo ministri po i mbështet bizneset inovative.
“Sot zhvilluam një takim pune, ministri paraqiti angazhimet që i ka ministria gjatë këtij viti. Është një lajm i mirë kjo ministri ka arrit me qenë partnere me bizneset inovative. U fol përkrahja e investitorët e ri, ata inovativ që janë. I kemi disa brende shumë të mira dhe të ecim përpara. Ne eksportojmë shërbime të këtyre bizneseve inovative në vlerë prej rreth 30 milionë euro. Arsyeja e kësaj vizite është se kam thënë që ky vit do të jetë viti ekonomik dhe kjo ministri ka të bëjë pikërisht me ekonomi”, tha ai.
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha gjatë takimit me kryeministrin kanë shpalosur punët që po kryen ministria që ai udhëheqë si dhe ato të cilat priten të realizohen në vitin 2019.