Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të Samitit të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje, ka takuar kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Në profilin e tij në Facebook, Thaçi ka shkruar se vizioni i kancelares Angela Merkel, i shpalosur sot në Samitin e Sofjes, është garancë e perspektivës së qartë të anëtarësimit të Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Kancelaren Merkel e falënderova për mbështetjen e shtetit gjerman dhe i rikonfirmova angazhimin për përshpejtimin e reformave dhe implementimin e obligimeve ndërkombëtare, por edhe përkushtimin tonë për fqinjësinë e mirë, paqen dhe stabilitetin rajonal e më gjerë”, ka shkruar Thaçi.
Sipas tij, bashkëpunimi dhe dialogu janë rruga e vetme për tejkalimin e sfidave në Ballkanin Perëndimor.