Pjesa më e madhe e punonjësve të policisë nuk i kanë dorëzuar 3 formularët e vettingut dhe po presin ditët e fundit të afatit që skadon më 5 maj.
Kështu shprehet për Ora News kreu i Sindikatës së Policisë, ndërsa Ministria e Brendshme nuk ka shifra sesi po ecën ky proces.
Një numër u madh i efektivëve të policisë po presin afatin e fundit për dorëzimin e formularëve të vettingut në radhët e uniformave blu.
Nga kontaktet që mban Sindikata e Policisë me efektivët në terren, ka konstatuar se pjesa dërrmuese e punonjësve që ajo përfaqëson, nuk i kanë dorëzuar ende 3 formularët e vettingut.
Kryetari, Sadetin Fishta, tregon për Ora News vështirësitë që po kalon ky proces dhe dilemën e mijëra policëve, të cilët mesa duket e kanë lënë për ditën e fundit.
Fishta: Janë para dy alternativave, ose të bëjnë kërkesë që të lirohen ose ta plotësojnë në përputhje me ato kërkesa që ka ligji. Deri tani nuk është dorëzuar asnjë nga këto deklarata, formularë sepse problematika është shumë e gjerë.
Por nëse dokumentet që kërkohen nga deklarata e pasurisë nuk gjenden deri në 5 maj, ka ende kohë për t’i sjellë pranë zyrave përkatëse.
Fishta: Më shumë se 6 muaj i ka prapë në dispozicion për të marrë informacionin e nevojshëm që ti përgjigjet Komisionit. Çdo punonjës policie është i lirë që edhe pas dorëzimit të formularit të interesohet dhe të sjellë dokumentet.
Vetëm në formularin prej 9 faqesh të pasurisë, përpos pronave e llogarive bankare, kërkohen shpenzimet e vitit të fundit, duke përfshirë edhe arredimin e shtëpisë, ujin, energjinë elektrike dhe gjithashtu të deklarohen sendet me vlerë mbi 300 mijë lekë.