Nga Kastriot Dervishi
Deri në vitin 1925 pranë Ministrisë së Financave gjendeshin disa organe të kontrollit që merreshin me verifikimin financiar të vendit. Siç pohohet edhe në librin “10 vjet mbretni”, kjo mënyrë kontrolli kishte sjellë amulli e paqartësi organizative.
Me dekretin nr.255, datë 30.8.1924 të Këshillit të Naltë, Komisioni i Kontrollit të Llogarive në Ministrinë e Financave u përbë nga: Fejzi Alizoti, Tonin Simoni dhe Haxhi Shkoza. Këta përbënë edhe bërthamën e krijimit të Këshillit të Kontrollues.
Në vitin 1925, u hartua një pjesë e posaçme për Këshillin Kontrollues të Financave në Statutin e Republikës. Nenet 93-97 të Statutit vendosnin parimet kryesore të punës së këtij organi. Financat e Shtetit kontrollohen prej Këshillit Kontrollues të Financave. Mbeteshin parimet kryesore të punës si ato të vitit 1922. Kryetari i këshillit dhe anëtarët e tjerë emëroheshin nga kryetari i Republikës, për një mandat 5-vjeçar. Mandatet nuk kufizoheshin. Ndërsa nëpunësit e tjerë emëroheshin sipas ligjit.
Pas miratimit të Statutit të Republikës, hapi i parë ishte dekretligji i datës 20.5.1925 për krijimin e Këshillit Kontrollues të Financave.
Pas miratimit të Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, doli një ligj i ri i datës 11.4.1929 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Kontrollues”, sipas së cilit këshillit iu vendos edhe një prokuror.
Këshilli Kontrollues u shkri si institucion në vitin 1946 për t’u krijuar Komisionit të Kontrollit të Shtetit si pjesë e ekzekutivit, në krye të të cilit u vu Koçi Xoxe.
Kryetarët e Këshillit Kontrollues në vitet 1925-1946
Fejzi Alizoti, 1925 –1927
Kolë Thaçi, 1927 –1930
Lame Kareco, 1930 –1931
Kolë Thaçi, 1931 – 9 nëntor 1936
Rrok Gera, 1936 –1938
Llambi Aleksi, 1938 –1943 zëvendësisht
Izedin Beshiri, 1943 –1944
Faik Shatku, 1945 –1946
Llambi Aleksi, 1946 zëvendësisht