1920/Vrasja e Sali Nivicës e rrëfyer prej një dëshmitari

E mërkurë, 15 July 2020 12:49
Sali Nivica Sali Nivica

Nga Kastriot Dervishi

Më 10.1.1920, në Shkodër, nga Kolë Ashiku u vra Sali Nivica (1890-1920), kryeredaktor i gazetës “Populli”. Kjo vrasje e kryer në kohën kur fuqitë italiane ishin të mobilizuara të pengonin mbajtjen e kongresit të Lushnjës, është aluduar se është kryer me urdhër të tyre. Vrasja ndodhi para konsullatës italiane. I gjendur ngushtë nga reagimi i Salit, Ashiku u fut brenda konsullatës për t’u mbrojtur. Konsulli italian ua dorëzoi autoriteteve shqiptare, të cilat e arrestuan dhe më pas e dënuan.

Nëse veprimi do kishte nxitjen e Italisë, minimalisht nuk duhej të kryhej para dyerve të konsullatës. Përndryshe do ishte veprim shumë i trashë. Pavarësisht se nuk është lexuar as dosje e dënimit të autorit dhe as deklaratat e tij në moshën 60-vjeçare kur u dënua për herë të dytë, në shumë botime e lidhin vrasjen të porositur nga italianët. Sali Nivica ishte vërtet njeri me ndikim në atë kohë, por nuk ishte as në nivelin e Ahmet Zogut, Aqif Biçakçiut, Sulejman Delvinës, Sotir Pecit, etj, që ishin figurat kryesore të politikës. Le të shohin dy dëshmi, së parë nga Sejfi Vllamasi e së dyti atë që ka thënë vetë vrasësi, teksa u dënua për herë të dytë, në vitin 1946.

***

Vrasja e Sali Nivicës

Sali Nivica, drejtor i gazetës “Populli”, organ i organizatës “Krahu Kombëtar”, vritet më 11 janar (1920) në Shkodër prej Kolë Ashikut. Saliu ka dashur të marrë me qira për zyrë e për banim një dhomë mbi dyqanin e këtij të fundit, por mbasi ky e han fjalën, Saliu i vrazhdë nga goja i thotë: “Burrit me mustaqe s’i ka hije të hajë fjalën”. Kjo fjalë e prek Kolën, i cili si i koritur, vendos të hakmerret. Vëllai i tij, Anton Ashiku, prift, e paralajmëron Hysni Currin që të merrte masa pajtimi me kohë, mbasi vëllain e tij nuk e shihte në rregull. Hysni Curri nga moskujdesja dhe nga mosdhënia rëndësi çështjes se mund të përfundonte keq, u mjaftua vetëm duke i dhënë Saliut një djalë prej Gucie të quajtur Shaban, për ta shoqëruar përditë. Saliu një orë pas takimit që pati me të në shtëpinë e tij, del e shkon në bashki de mbasi e lë Shabanin të priste atje, shkon në postë, e cila ishte përballë bashkisë, në një rrugicë të ngushtë. Kur del prej poste, krimineli që ka qenë në pritë, i del përpara befas dhe e qëllon dy herë me revolver nagant, duke e plagosur rëndë. Ashiku tentoi të ikte, por 4 plumbat e Saliut e detyruan të futej në konsullatën italiane.

Saliu vdiq prej plagës së rëndë dhe prej hemorragjisë. Saliu nga Nivica ka qenë patriot i vendosur, i zgjuar, punëtor i madh, me karakter të fortë dhe një gazetar i pasionuar. Vrasja e tij në atë kohë, ka qenë një humbje e madhe për nacionalistët shqiptare. Populli i Shkodrës, i pikëlluar në kulm, ditën e varrimit i mbylli dyqanet e qytetit. Me mijëra persona vizituan trupin e tij në qendrën e Komitetit të Kosovës dhe e përcollën deri në banesën e fundit.

Italianët u gëzuan nga zhdukja e një armiku të tyre të vendosur e të aftë, që u bënte një luftë të pamëshirshme me gazetën “Populli” dhe krimineli ndofta do të jetë influencuar nga italianët e agjentët e tyre shqiptarë, por vrasja e Sali Nivicës, më tepër se një krim politik, ishte një vrasje ordinere që ka dëmtuar shumë politikisht. (Sejfi Vllamasi, “Ballafaqime politike”, botimi i dytë, Tiranë 2000, Tiranë 186-187).

(vijon tematika)

Login to post comments