1946/Deklarata e Kolë Ashikut në gjyq: Sali Nivicën e vrava për një shtëpi dhe se më rrihte, nuk kisha nevojë për para

E mërkurë, 15 July 2020 12:58
Kolë Ashiku dhe deklaratat e tij në gjyq Kolë Ashiku dhe deklaratat e tij në gjyq

Nga Kastriot Dervishi

Kolë Ashiku u arrestua në vitin 1946 (datë arrestimi nuk jepet as në vendimin e dënimit). Në Seksionin e Mbrojtjes së Popullit u pyet më 12.4.1946 nga Bashkim Kasoruho. Deri në vitin 1912 kishte qenë këpucar në Shkodër e Tivar. Me administrimin e Shkodrës nga fuqitë e mëdha në vitin 1913 kish hyrë në armën e policisë e më pas në shërbim të austriakëve ku mori gradën toger. Çeli një pijetore pas largimit nga policia. Ishte arrestuar kur kreu vrasjen e Sali Nivicës. Gjykata fillimisht e dënoi me vdekje, por më pas dënimi iu kthye me 101 vjet nga Këshilli i Naltë. Pas disa faljeve doli nga burgu në vitin 1933. Pra vuajti 13 vjet burgim. Më pas, në vitet 1933-1942 qëndron në Beograd. Këtu kish punuar gjellëbërës dhe hotelier. Me t’u kthyer në Shkodër ishte marrë me manifakturë. Me ardhjen e partizanëve doli në mal deri sa u kap prej tyre. Më 25.6.19467 iu komunikua akuza që lidhej me vrasjen e Sali Nivicës (pavarësisht se një gjykatë e mëparshme e kish shpallur fajtor dhe dënuar) dhe se gjatë luftës kishte qenë spiun. Në hetuesi janë shtuar fjalët se kish marrë 50 napolona ari nga konsullata italiane, gjë të cilën e mohon në gjyq, duke thënë se kish nënshkruar ngaqë e kishin rrahur.

Dënimi

Kolë Ashiku u përfshi në një proces me gjithsej 21 persona: Zef Jakoviqi, Zef Enjelli, Pjetër Saraçi, Ndoc Bazhdari, Malo Troshani, Ndrec Shllaku, Pjetër Pali, Kolë Mjeda, Dom Alfonc Tracki, Paulina Nika, Xhemal Sinani, Mirash Nika, Tef Gera, Brahim Sokoli, Pjetër Deda, Rrok Marashi, Nikoll Deda, Llesha Marash Vata, Kolë Toma, Luigj Mjeda. Të gjithë u akuzuan në bazë të neneve 1, 14, 15, 18, 19, të ligjit nr.21, datë 15.1.1945. Më 3.7.1946, Kolë Ashiku u pyet së sallën e gjyqit për vrasjen e Sali Nivicës dhe dha shpjegime:

“Akuzat që më bëhen nuk i pranoj. Kur kam qenë komandant i xhandarmërisë dhe i policisë isha i ri, mblidhja armë, por jo me zor...Me Sali Nivicën nuk kam pas ndonjë armiqësor, por jemi grindur për çështjen e një shtëpie që donte të më nxirrte jashtë dhe e kam vrarë pasi më shau dhe më gjuajti 5-6 herë, por nuk e vrava për çështje politike. Sali Nivica ishte gazetar dhe nuk di se kundra kujt shkruante. Vrasja e tij është bërë para konsullatës italiane. Kur e vrava u futa në konsullatën italiane, se unë nuk kisha nevojë të vrisja për pare. Mua më kanë ardhur në burg 75 napolona nga shtëpia, por jo nga konsullata. Mua për këtë vrasje më dënuan me vdekje. Pastaj Këshilli i Naltë ma ktheu me 101 (vjet) dhe me shpalljen e Zogut mbret, m’u kthye në 15 vjet burgim. Unë e vrava Sali Nivicën se më mbeti në qafë. Nuk është e vërtetë që mua të më ketë çuar konsulli 50 napolona, por në Seksion (të Mbrojtjes së Popullit-shënim) kam thënë nga zori se më rrahën”.

Prokurori Aranit Çela ndërhyn: “Kolë Ashiku gënjen se organet e sigurimit publik nuk janë xhandarët e Zogut dhe fuqi mercenare që torturojnë njerëzit, por qëndrojnë në lartësinë e detyrës”. Gjatë zhvillimit të gjyqit, Çela kërkoi dënim me vdekje. Në fjalën e fundit, Ashiku deklaroi se nuk kishte qenë spiun.

Gjykata Ushtarake e Shkodrës, e drejtuar nga toger Mustafa Iljazi, me vendimin nr.249, datë 17.7.1946 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje së bashku me shtetasit Llesh Marash Vata (në litar), Dom Alfonc Tranci, Nikoll Prek Deda. U la në fuqi me vendimin nr.59, datë 18.7.1946 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.

Login to post comments