1949/Vrasja e Bardhok Bibës dhe vrasja e 14 të pafajshmëve

Hënë, 17 August 2020 11:49
Kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, kërkon lënien në fuqi të vendimit për dënimet me vdekje Kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, kërkon lënien në fuqi të vendimit për dënimet me vdekje

Nga Kastriot Dervishi

Vrasja e sekretarit politik të Mirditës, Bardhok Biba, u krye nga organi i shpagimit të Nënkomitetit Krahinor të Mirditës, orën 16.30 të dielën e datës 7.8.1949 në kohën kur Bardhoku po kalonte për të shkuar në një konferencë komuniste në Kaçinar. Mbi kufomë iu la vendimi i nënkomitetit në fjalë. Në orën 21.30 të datës 7 gusht, kufoma e Bardhok Bibës u vendos në sallën e komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Mirditës, ndërsa ceremonia e varrimit u zhvillua të nesërmen.

Vrasja e një sekretari politik rrethi ishte goditja më e madhe që mund t’i bëhej regjimit komunist në atë kohë. Aftësia e regjimit për të zbuluar e gjetur autorët ishte zero. Për këtë arsye, u pëlqye të përdorej metoda e terrorit mbi popullsinë civile. Të gjithë ata do etiketoheshin si “strehues kriminelësh”. Në drejtimin e dy këshilltarëve sovjetikë që bënin, ndaj krahinës së Mirditës filloi një terror tipik sovjetik. Si edhe në raste të tjera, u bë kategorizimi i popullsisë.

Nga Rrësheni, më 9.8.1949, zëvendëskryeministri, ministri i Punëve të Brendshme, anëtari i Byrosë Politike dhe sekretari i KQ të PPSH-së, Mehmet Shehu i telegrafon drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Beqir Ndou, duke e urdhëruar të njoftojë menjëherë Enver Hoxhën. Shehu thotë se nga 44 fshatra, për dy ditë do ndërmerrej operacion në 33 prej tyre. Do arrestoheshin:

-31 të kategorisë së parë (për dënime me vdekje)

-84 të kategorisë së dytë (për dënime me burgim)

-17 të kategorisë së tretë (për internime në kampin e Tepelenës).

Shehu kërkon edhe internimin e 9 familjeve të Gjon Markut dhe 15 arrestime të tjera në Lezhë. Rekomandon që Gjykata Ushtarake të vijë në Rrëshen më 12 gusht. Procesi ndaj grupit të dyshuar si të lidhur me ata që vranë Bardhok Bibën u zhvillua me të shpejtë. Si edhe rastet e tjera të këtij lloji, procesi ishte i parregullt edhe nga ana administrative. I vetmi hetues që merret vesh ishte Isuf Kullolli. Nuk figurojnë hetues të tjerë dhe as procese ndaj të pandehurve. Janë futur në dosjen hetimore-gjyqësore edhe proceseve të të pandehurve të viteve të mëparshme. 26 të pandehurit janë arrestuar më 11.8.1949. Çështja u gjykua nga Gjykata e Lartë Ushtarake, me veprim në Rrëshen e përbërë prej nënkolonel Bilibil Klosit, kapiten I Sotir Spiros, kapiten II Nonda Papulit, duke pasur pranë prokurorin e ushtrisë major Misto Bllaci. Gjykimi është zhvilluar i shpejtë, pa asnjë logjikë juridike. Brenda vendimit ka edhe gabime emrash, mungesë argumentesh, etj. Të pandehurit u cilësuar me përjashtim të njërit “të gjithë bashkëpunëtorë të bandave të armatosura”. U akuzuan në bazë të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 “Mbi fajet penale kondra popullit dhe shtetit”. 14 u dënuan me vdekje (4 me varje në litar). Më I riu ishte 19 vjeç e më i madh 67 vjeç. Më 16.8.1949, të dënuarit me vdekje iu drejtuan Presidiumit të Kuvendit Popullor për faljen e jetës. Spikat dokumenti pasi vetëm 5 nënshkrime janë. Të tjerat janë gishta të njollosur. Teksti i kërkesës është shkruar nga ndonjë zyrë këshillimore dhe vetëm është sjellë për nënshkrim.

Pasi vendimi i gjykatës ishte i formës së prerë, më 17.8.1949 kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake nënkolonel Biblil Klosi, njofton Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare, se asnjë prej të dënuarve nuk lidhej me aksionin e vrasjes së Bardhok Bibës, por në gjykimin e tij ishin “strehues, ndihmësa e bashkëpunëtorë direkt ose indirekt me bandën e kriminelëve të arratisur që ndodhen në arrati në krahinën e Mirditës”. Pra asnjë i akuzuar drejtpërdrejt. Menjëherë, brenda ditës Ministria e Mbrojtjes Kombëtare me nënshkrimin e zëvendësministrit, gjeneral-major Hysni Kapo kthen përgjigje se ishte dakord me opinionin e Bilbil Klosit. Kësisoj në kohë rekord, Presidiumi i Kuvendit Popullor, zhvilloi mbledhjen e nr.270 të datës 17.8.1949, në orën 12.00. Në mbledhje u kopjuan fjalët e Bilbil Klosit dhe lutjet nuk u morën parasysh.

Login to post comments