Nga Kastriot Dervishi
30 vjet më parë, më 11.12.1990, pasdite, në Kavajë u zhvillua një demonstratë antikomuniste që zgjati rreth 3 orë. Regjimi konstatonte se gjatë manifestimit ishin hedhur “parulla të ndryshme fyese, armiqësore”, si dhe u thyen edhe xhamat e Rajonit të Partisë së Punës dhe Komitetit Ekzekutiv të qytetit.
Parullat e hedhura: “Besa-besë do fitojmë”, “Kavaja unitet”, “Liri demokraci”. Në vazhdim, në qendër të qytetit u grumbulluan mbi 200 veta dhe filluan të hidhnin parulla si: “Poshtë pushteti”, “Poshtë Nexhmija”, “Poshtë komunizmi”, “Enver-Hitler”, “Jemi me studentët”, “Lironi vëllezërit tanë”, “Liri-demokraci” dhe “O Ramiz, dëgjo se ç’thotë rinia”, “Policët-vëllezërit tanë”. Në qenë të qytetit u dogj në mënyrë demonstrative portreti i Ramiz Alisë. Në disa libra u grisën dhe dogjën veprat e Enver Hoxhës.
Në datat 8, 9, 10, 11 dhjetor 1990 në Kavajë ishin hedhur “fletushka armiqësore”, në të cilat bëhej thirrje që të ngriheshin në përkrahje të protestave të studentëve.