Nga Kastriot Dervishi
Organizata Bashkimi Kombëtar e drejtuar nga Sejfulla Shima, zgjodhi kohën e hedhjes së dinamit të legatën sovjetike sepse ishin ditët përkujtimore për Ushtrinë e Kuqe dhe se më 19-23 shkurt 1951 zhvillohej plenumi i 9-të i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Pra dinamiti u hodh ditën e parë të plenumit. Ngjarja ishte e tmerrshme për regjimin. Jo vetëm që e tronditi, por edhe e turpëroi. Për më tepër nuk dinte nga t’ia fillonte. Më 6 shkurt 1951 ishin arrestuar disa persona për një ngjarje të supozuar që do bënin dy ditë më vonë. Dyshimi i parë binte te to dhe te lista e elementit kundërshtar të Tiranës. Gjithsesi çështjen e vendoste partia më parë. Dinamiti u hodh. Ditën e dytë të këtij plenumi, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, njëherazi edhe kryeministër, Enver Hoxha, u foli të pranishmëve për ngjarjen e rëndë:
“Në qoftë se nuk ka vigjilencë partia, si mundet t’ia dalim kësaj gjëje? Armiku na lufton me njëmijë mënyra, ai organizon tërë reaksionin, i grumbullon, e armatos dhe na bëjnë si ajo që na bënë mbrëmë në legatën sovjetike e që duhet të bëhet mësim i madh për tërë KQ (kjo gjë duhet të mbahet e fshehtë). Ajo që na ndodhi mbrëmë duke plasur dinamit në legatën sovjetike do të ish 100 mijë herë edhe sikur të na kishin bërë neve atentat dhe të mos kish ndodhur gjë. Kjo gjë godit rëndë vijën e partisë, godit atë ku mbështetet partia jonë. Ky është akti i parë terrorist që na ngjet këtu në Shqipëri, pse në asnjë demokraci tjetër popullore nuk ka ndodhur. Kjo është një gjë e madhe për partinë tonë. Në rast se nuk do të jemi të ashpër kundra armikut të klasës do të na ndodhin edhe raste të tjera po të jemi kështu të shthurur. Se armiku nuk fle, prandaj duhet ta shumëfishojmë vigjilencën se do të na ndodhin katastrofa dhe do të na vrasin shokë udhëheqës. Në rast se bëjmë të tilla lëshime karshi elementëve që futen kontrabandë në parti (ata) do të na e shkatërrojnë nga brenda partinë. Prandaj ne duhet të jemi të zgjuar nga të katër anët dhe ta mbrojmë si duhet partinë, të jemi të ashpër dhe të pamëshirshëm kundër armiqve”.