Në listën me 19 persona të përpiluar nga degët e parë (zbulimi politike) dhe pestë (legatat) të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit në MPB, u ekzekutuan 9 persona. Pra, pjesën më të madhe nga 3 listat, e zë pikërisht kjo. Dy listat e tjera të degëve 2 dhe 3 kanë nga 6 persona të zgjedhur për t’u pushkatuar. Listave iu shtua edhe një person jashtë tyre.
Në listën kryesore, figuronte edhe Lluka Rashkoviç (1900), lindur në Llokov të Jugosllavisë, pronar makinash, punonte në garazhin e tij. Ishte shtresë e pasur. Akuzohej se ishte agjent i vjetër jugosllav, por edhe i SIM-it (shërbimi sekret ushtarak italian) i cili kishte dashur ta bënte guvernator të Malit të Zi gjatë luftës. Historia e tij është interesante. Shpëtoi njëherë nga vdekja. Në ngjarjen e shumënjohur të vrasjes së dy turistëve amerikanë Geoge de Long (49 vjeç, financier nga Nju-Jorku) dhe R.L Culeman (65 vjeç financier nga Kalifornia) më 6.4.1924 në Mamurras, Rashkoviç u plagos. Ai ishte shoferi i turistëve. Mesa duket shërbente me makinat e tij për udhëtime të ndryshme. Në foton bashkëlidhur, është i shënuar në qendër të fotos.