Imigracioni, Trump-Conte në konferencën e përbashkët për shtyp

Tuesday, 31 July 2018 07:09

Imigracioni ishte një ndër fjalët më të lakuara në konferncën për shtyp të Presidentit Trump me kryeministrin italian të hënën pasdite.

Pas një takimi kokë-më-kokë, Presidenti Trump dhe Kryeministri italian Giuseppe Conti bënë komente për gazetarët ku diskutuan tema të interesit të përbashkët, por ku spikatën edhe çështje të nxehta në politikën e brendshme të Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Trump përshëndeti punën që po bën qeveria aktuale e Italisë për të vënë nën kontroll dyndjen e refugjatëve drejt Evropës. Presidenti Trump tha se është shumë i vendosur të tregohet aktiv për ta zgjidhur këtë problem në Shtetet e Bashkuara, duke ngritur një mur në kufirin me Meksikën:
“Po tallet bota me Amerikën,” tha presidenti duke folur për gjendjen aktuale të imigracionit dhe kalimin e paligjshëm të kufirit. Presidenti tha se do të përdorë çdo mjet për të siguruar miratimin e fondeve për ngritjen e murit. Zoti Trump tha se është i gatshëm të mbyllë qeverinë kur të skadojnë fondet për operimin e institucioneve federale, për t’i bërë presion Kongresit që të miratojë fondet federale për ngritjen e murit.
Presidenti përsëriti qëndrimin e tij kundër imigracionit zinxhir dhe lotarisë si mënyra për të sjellë shtetas të huaj në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ky sistem duhet zëvendësuar me një aplikim që përzgjedh në bazë të meritave të aplikantit.
Presidenti Trump foli për presionin që ka ushtruar që vendet e tjera të NATO-s të paguajnë detyrimet vjetore. Presidenti Trump tha se është i gatshëm të takohet me udhëheqësin iranian pa parakushte, për të diskutuar shqetësimet e përbashkëta.
Ai kritikoi marrëveshjet shumëpalëshe tregtare duke thënë se si rezultat Amerika është shfrytëzuar nga të tjerët. Ai përmendi se Shtetet e Bashkuara kanë një deficit tregtar me Italinë që ai e kishte diskutuar me zotin Conte.
Kryeministri Conte tha se kishte diskutuar me Presidentin Trump Tubacionin Trans-Adriatik si një projekt strategjik për furnizimin e Italisë dhe Evropës jugore me energji. Ai tha se e konsideron këtë projekt si faktor për të eliminuar përdorimin e qymyrgurit. Kryeministri tha se projekti ka hasur në rezistencë në disa komunitete lokale, ku parashikohet të kalojë tubacioni dhe se ai ka në plan të takojë personalisht kryebashkiakët e këtyre lokaliteteve për ta mundësuar zbatimin e projektit.
Kryeministri italian, Giuseppe Conte, është një ndër udhëheqësit evropianë që ka më shumë të përbashkëta me Presidentin Trump. Ai erdhi në post pas zgjedhjeve ku mbisundoi retorika populiste. Qeveria aktuale italiane ka marrë një numër masash për t’u shkëputur nga praktikat e qeverisë së mëparshme që po dëshmojnë qëndrimin e saj më izolacionist dhe më nacionalist.

Login to post comments