Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk iu ndahet takimeve me George dhe Aleks Soros. Ka qenë ky i fundit i cili ka ndarë disa foto në rrjetet e tij sociale ku shpreh kënaqësinë e takimit me Thaçin në New York. Presidenti i Kosovës ndodhet në SHBA në kuadër të takimit të përvitshëm që mbahet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku është i pranishëm dhe presidenti shqiptar Ilir Meta.
Nuk dihet se cila ka qenë tema e takimit me Thaçit dhe dy anëtarëve të famijes multimilionere Soros, ndërsa eventi që ishte organizuar nga fondacioni i manjatit kishte në fokus çështjet e drejtësisë. Zëra thonë se Aleks Soros po negocion fuqishëm për marrëveshjen e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, ku vetëm pak javë më parë ka pasur disa takime intensive në Tiranë, Serbi dhe Prishtinë.
Edhe pse duket se ka pasur një tensionim të marrëdhënieve mes Vuçiç dhe Thaçit, me ngecjen e marrëveshjes, në media është hedhur teza se kjo mund të jetë një lojë e të dyve, për të nënshkruar marrëveshjen në një moment të dytë.