Ish-presidenti meksikan, Enrique Peña Nieto akuzohet se ka marrë një ryshfet 100 milionë dollarësh nga “mbreti” i karteleve të drogës, Joaquin Guzman, i njohur edhe si “El Chapo”, sipas një dëshmitari në gjyqin që po zhvillohet ndaj tij në SHBA.
Alex Cifuentes, që pretendon se ka qenë një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Guzmanit për vite me radhë, ka thënë përpara jurisë se kishte informuar autoritetet për ryshfetin në vitin 2016. Guzman akuzohet si organizatori i kartelit famëkeq të drogës, atij të Sinaloas, që konsiderohet prej prokurorëve si furnizuesi më i madh me drogë i tregut në Shtetet e Bashkuara.
Enrique Peña Nieto shërbeu si president i Meksikës për 6 vite, nga 2012 deri në 2018-n. Guzman, 61 vjeç, po gjykohet nga një juri në Brooklyn që prej nëntorit të vitit të kaluar, pasi u ekstradua nga Meksika për t’u përballur me drejtësinë amerikane, për akuzat e trafikimit të kokainës, heroinës apo drogave të tjera, si lideri i atij që Amerika e quan karteli më i madh i drogës në botë.
Sipas reporterëve në sallën e gjyqit në Brooklyn, Peña Nieto kishte kërkuar 250 milionë dollarë ryshfet, përpara se të pranonte shumën prej 100 milionë dollarësh.
Cifuentes pretendon se dorëzimi i shumës është bërë në Mexico City në tetor të vitit 2012, nga një mik i ngushtë i El Chapos. Cifuentes, një bos kolumbian droge që e përshkruan veten e tij si “krahu i djathtë” i El Chapos, ka punuar si sekretar i tij dhe kaloi dy vite në arrati në malet meksikane, për shkak se ishte vënë nën gjuetinë e autoriteteve.
Ai u arrestua në Meksikë në vitin 2013 dhe u ekstradua më vonë në Shtetet e Bashkuara, ku pranoi fajësinë për trafikim droge në një pakt me prokurorët.
Peña Nieto nuk ka reaguar ndaj akuzave të fundit, por më herët ka refuzuar çdo akuzë për korrupsion që ka dalë nga gjykimi, që prej nisjes së gjyqit në nëntor.