Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se gati tre dekada pasi vendi u ribashkua, akoma ka punë për të bërë, për t’i bashkuar njerëzit e ish-Lindjes dhe Perëndimit. Merkel foli në një ceremoni që shënoi 29 vjetorin e ribashkimit në qytetin verior të Kielit.
“Uniteti gjerman është një proces dhe një mision i vazhdueshëm”, tha Merkel.
Ajo tha se “ribashkimi zyrtar gjerman, është i plotë. Por, uniteti i gjermanëve, nuk ishte i plotë më 3 tetor 1990, dhe se vazhdon të jetë edhe sot një çështje e pakryer”.
Vetë Merkel është nga ish-Gjermania Lindore, por sondazhet e fundit tregojnë se shumë banorë atje e shohin veten si të pa përfaqësuar në politikën dhe bizneset gjermane, duke kontribuar në një ndjenjë të përgjithshme, që zërat e tyre shpesh nuk dëgjohen.
Muri i Berlinit, që shihet si simboli i Luftës së Ftohtë, nisi të ngrihej në vitin 1962 nga autoritetet e Gjermanisë Lindore për ta ndarë atë nga ajo perëndimore dhe për të ndaluar largimin drejt perëndimit. Më 9 Nëntor të vitit 1989 njerëz nga të dyja anët e Murit u ngjitën mbi të, në një frymë festive, derisa Muri u rrëzua brenda disa javësh. Zyrtarisht bashkimi i Gjermanisë u bë më 3 tetor 1990.