Udhëheqësit e BE-së do të vendosin të premten nëse do t’i japin Britanisë së Madhe një zgjatje tre-mujore të afatit të Brexit. Sipas medieve britanike, shumica e vendeve të BE e mbështesin këtë vendim, por Franca duket se është kundër.
Kështu që, të hënën mund të mbahet një samit urgjent në Bruksel për të lejuar liderët të arrijnë marrëveshje ballë për ballë.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, insiston që Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE javën tjetër me ose pa një marrëveshje dhe ai do të kërkojë zgjedhje të parakohshme nëse BE jep një shtyrje të afatit të Brexit deri në janar.
Në bazë të legjislacionit të miratuar nga deputetët muajin e kaluar, kryeministri, edhe pse jashtë dëshirës së tij, u detyrua të dërgojë një letër në BE duke kërkuar një shtyrje të afatit.
Megjithatë, ai tha se u kishte thënë udhëheqësve të BE-së se politika e tij është që të largojë vendin nga BE më 31 tetor.