Koreja e Veriut ka filluar çmontimin e altoparlantëve të vendosur përgjatë kufirit me Korenë e Jugut dhe tha se mendon se edhe Jugu është duke bërë të njëjtën gjë, shkruan BBC. Dy Koretë e ndarë kanë përdorur altoparlantë për vite që të shpërndajnë propagandën e tyre përgjatë kufirit të përbashkët.
Heqja e tyre është pjesë e një vargu gjestesh simbolike pas samitit historik korean javën e kaluar. Të premten e kaluar të dy palët ranë dakord për t’i dhënë fund armiqësive dhe për të punuar për çarmatimin bërthamor.
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un është duke pritur të takohet me Presidentin amerikan Donald Trump brenda pak javësh për të diskutuar çështjen. Altoparlantët e Koresë së Jugut u vendosën së pari në vitet 1960 dhe që prej asaj kohe kanë shpallur gjithçka nga Koreja, që nga muzika pop deri tek edicionet e lajmeve përgjatë kufirit.